Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Graz të Austrisë, ku një 24-vjeçare shqiptare është gjetur e pajetë në banesën ku jetonte me partnerin e saj, ndërsa kishte shenja dhune në trup.
Mediat austriake raportojnë se 24-vjeçarja shqiptare, e identifikuar si Abigel Laçi, dyshohet se është vrarë nga vëllai i partnerit të saj.
Sipas mediave, ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 3 shtator, në një apartament në qendër të Grazit. Policia është njoftuar rreth orës 12:40 dhe, pas mbërritjes në banesë, ka gjetur 24-vjeçaren pa shenja jete. Autoritetet bëjnë me dije se ajo ka humbur jetën në vend, si pasojë e plagëve të marra.
Në vijim të ngjarjes, policia ka arrestuar në shkallët e pallatit një 23-vjeçar, i cili, sipas dëshmitarëve, ishte i mbuluar me gjak. Në një njoftim fillestar, autoritetet thanë se i riu kishte lidhje familjare me viktimën. Më pas u bë e ditur se bëhej fjalë për vëllain e partnerit të Abigel Laçit.
Nga të dhënat paraprake të hetimit, dyshohet se 23-vjeçari ka shkuar i vetëm në apartament dhe ka hyrë me forcë. Në atë moment, Abigel ndodhej e vetme në banesë, pasi partneri i saj nuk ishte aty.
Hetuesit dyshojnë se çekiçi është përdorur si mjet në kryerjen e krimit. Për shkak të hetimit në vijim, autoritetet nuk kanë bërë publike të gjitha detajet e ngjarjes.





