Të martën parlamenti rinis punimet dhe çështja më e rëndësishme e këtyre muajve duket se do të jetë miratimi i ndarjes së re territoriale dhe shkrirja e 15 bashkive.
Për Partinë Demokratike, harta e propozuar nga socialistët në fundin e muajit korrik, që redukton bashkitë nga 61 në 46, është e papranueshme, pasi është hartuar për interesat elektorale të PS-së dhe nuk mban parasysh vullnetin e qytetarëve.
“Qëndrimi politik i opozitës dhe Partisë Demokratike është i qartë: nuk e njeh këtë produkt të njëanshëm. Aq më tepër që është një produkt që shkon në drejtim të kundërt me atë që ishin interesat e qytetarëve dhe mendimet e vullneti i tyre i shprehur në 11 dëgjesat e zhvilluara”, tha deputeti i PD Ivi Kaso.
Ivi Kaso sjell në vëmendje se vendimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014, kur demokratët kërkuan shfuqizimin e hartës territoriale me 61 bashki. Asokohe, Kushtetuesja nuk i dha të drejtë opozitës, por gjyqtarët sqaruan se miratimi i reformave të tilla kërkon konsensus.
“Gjykata Kushtetuese, pavarësisht se është ndarë në momente të tjera, qartazi ka shprehur nevojën që legjislatori duhet të marrë parasysh që një mazhorancë të tillë e përcaktuar e reformave të tilla synon në radhë të parë konsensusin mes forcave kryesore politike, në mënyrë që një reformë kaq e rëndësishme të shohë në radhë të parë interesin e qytetarëve, të cilëve iu drejtohet, sesa partitë politike dhe interesat e tyre elektorale.”
Edhe pse socialistët i kanë votat për ta miratuar të vetëm ndarjen territoriale, opozita do të përdorë çdo mjet ligjor për ta kundërshtuar atë, duke nisur nga referendumet.
“Referendume këto të cilat kanë kompleksitetin e tyre dhe vështirësinë e tyre për t’u mbajtur, por që, tek e fundit, janë ajo formë e marrjes së vendimit të popullatës lokale që neni 108, pika 2 e Kushtetutës parashikon si prerogativë për miratimin e një reforme të tillë.”
Gjithashtu, pritet që demokratët ta godasin sërish këtë hartë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e saj.
/vizionplus.tv





