Gianni Infantino do të rikandidojë për postin e presidentit të FIFA-s në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të zhvillohen në mars 2027 në Rabat të Marokut.
FIFA ka konfirmuar se asgjë nuk ka ndryshuar në planet e presidentit zvicerano-italian, i cili synon të qëndrojë në krye të futbollit botëror edhe për një mandat tjetër.
Infantino, i cili drejton FIFA-n që prej vitit 2016, synon mandatin e katërt në krye të organizatës së futbollit. Nëse rizgjidhet, ai do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2031. Aktualisht, ai është kandidati i vetëm që ka deklaruar zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme.
Rikandidimi vjen në një moment të vështirë për Infantino. Presidenti i FIFA-s është përballur me kritika të forta pas planit tashmë të braktisur për përfshirjen e investitorëve privatë në të drejtat komerciale të kompeticioneve të FIFA-s.
UEFA, së bashku me disa konfederata dhe federata kombëtare, ka shprehur kundërshtimin ndaj drejtimit të Infantino-s, ndërsa disa federata europiane kanë tërhequr mbështetjen për kandidaturën e tij. Megjithatë, ai vazhdon të ketë mbështetje të rëndësishme në pjesë të tjera të botës, veçanërisht në Afrikë dhe Amerikën e Jugut.
/vizionplus.tv





