Kristian Shpendi vijon të jetë protagonist me fanellën e Çezenës.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte përsëri vendimtar, duke shënuar golin që i dha skuadrës së tij një pikë në përballjen ndaj Mantovës, të mbyllur në barazim (1-1).
Në sfidën e javës së tretë të “Serinë B”, Shpendi e gjeti rrjetën në minutën e 77-të, duke realizuar me kokë dhe duke rikthyer Çezenën në lojë.
Ky ishte një tjetër gol i rëndësishëm për 23-vjeçarin, i cili ka shënuar në të tria javët e para të kampionatit. Një nisje që tregon edhe një herë se Shpendi pritet të jetë një prej pikave kryesore të skuadrës këtë sezon. Përpara startit të ndeshjes, Çezena i rezervoi gjithashtu një moment special sulmuesit shqiptar. Shpendi është ngjitur në kuotën e 50 golave, duke u bërë golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e klubit.
Forma e tij nuk është surprizë. Në dy sezonet e fundit në “Serinë B”, Shpendi ka arritur të kalojë kuotën e 10 golave për sezon, duke konsoliduar statusin si një prej sulmuesve më produktivë të kampionatit.
Me ritmin që ka nisur këtë sezon, Kristian Shpendi po konfirmon se është sërish gati të udhëheqë sulmin e Çezenës dhe të jetë një nga emrat kryesorë të Serie B-së.
/vizionplus.tv





