Pas heqjes së “non gratës”, Sali Berisha u rikthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku nga New Jersey iu drejtua diasporës shqiptare. Kreu i Partisë Demokratike e cilësoi rikthimin si korrigjimin e një padrejtësie të bërë ndaj tij.
“Por unë me besimin e palëkundur të SHBA, vend i të lirëve, shtëpi e guximtarëve, e qartë si kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga SHBA, po po vinte nga axhendat antiliri, të asaj që Donald Trump e ka emërtuar si ekstremi i majtë”, deklaroi Berisha.
Berisha falënderoi administratën Trump për vendimin, ndërsa tha se vizita në SHBA nuk kishte si qëllim vetëm mirënjohjen. Ai kërkoi angazhimin e diasporës në betejën politike kundër qeverisë së Edi Ramës.
“Sot kam ardhur me një thirrje të fortë për ju dhe çdo shqiptar tjetër, kam një kushtrim për gjithë shqiptarët, dita e sotme mund të jetë një moment triumfi, po ne si shqiptarë kemi shumë arsye që mos ndjehemi të përmbushur, sepse Shqipëria po rrokulliset ndofta më shumë se kurrë në ekzistencën e saj. Në Shqipëri ekstremi i majtë që ka lindur me krimin është shartuar me kartelet e drogës, të cilat presidenti i SHBA po i krahason me organizata terroriste, duke sjellë kështu në jetë një monstër që ushqehet me paratë e shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Berisha i bëri thirrje shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të angazhohen në protestat kundër qeverisë.
“Është koha për veprim, është emergjencë, rruga e rikthimit të ripërtëritjes kalon me largimin e Edi Ramës. PD ka një program, e cila nga themelimi i saj deri sot ka patur interes të 1 interesin kombëtar, e cila vendos familjen në themelin e shoqërisë”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se alternativa e vetme për vendin është krijimi i qeverisë teknike me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira.
/vizionplus.tv





