Ndërhyrje nga ajri me helikopter dhe angazhim maksimal i të gjitha forcave në terren për izolimin dhe shuarjen e zjarrit në Bardhaj dhe Myselim.
Për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer, flakët kanë marrë përhapje të konsiderueshme. Në operacion janë angazhuar 6 mjete zjarrfikëse të Bashkisë Shkodër me efektivët përkatës, 1 bot uji i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, strukturat e Emergjencave Civile, Shërbimi Pyjor dhe përfaqësuesit e njësive administrative Rrethina e Postribë.
Falë ndërhyrjes së forcave, deri tani janë mbrojtur 15 banesa dhe është shmangur rreziku për familjet e zonës.
Operacioni vijon edhe me mbështetjen e një mjeti zjarrfikës të Repartit RKV 1010 Vau i Dejës, në koordinim me Prefekturën e Qarkut Shkodër dhe AKMC-në.
Prioriteti ynë është mbrojtja e jetës, banesave dhe pronës së qytetarëve. Do të qëndrojmë në terren me angazhim maksimal deri në izolimin dhe shuarjen e plotë të çdo vatre.





