Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e flakëve në Shkozet. Sa i përket situatës energjitike në Durrës, ministri Enea Karakaçi thotë se vijon të mbetet e stakuar njëra prej linjave 110 kV.
Operatorët do të ndërhyjnë menjëherë për të kryer riparimet sapo situata të normalizohet. Ndërkohë furnizimi me energji është rikthyer pjesërisht në Durrës.
“Situata e krijuar nga zjarri i rënë në një objekt privat (magazinë) në afërsi të rrjetit 110 kV në Shkozet vijon të jetë e rënduar. Shërbimi zjarrfikës po vazhdon punën për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit, ndërsa njëra nga linjat 110 kV mbahet e stakuar si masë sigurie, me kërkesë të zjarrfikësve.
Në orën 15:40, si pasojë e zjarrit, u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e Durrësit.
Brigadat e OST sh.a. ndodhen në terren dhe do të ndërhyjnë për riparimin e defektit dhe dëmeve të shkaktuara në linjën 110 kV menjëherë pas shuarjes së plotë të zjarrit. Nga ana e OSSH janë marrë masa të menjëhershme për furnizimin e një pjese të zonave përmes linjave alternative (unazë). Furnizimi me energji është rikthyer pjesërisht në Durrës dhe po punohet për normalizimin e plotë të situatës.
Megjithatë, situata mbetet e vështirë, pasi furnizimi përmes unazimeve nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë për shkak të ngarkesës së lartë në rrjet. Rivënia në punë e linjave 110 kV do të bëhet sapo të jetë shuar plotësisht zjarri dhe të krijohen kushtet e nevojshme për ndërhyrjen e sigurt të ekipeve në terren.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për situatën e krijuar dhe siguron se strukturat e OST dhe OSSH janë në gatishmëri të plotë për të rikthyer sa më parë energjinë në të gjithë zonën e prekur”, shkruan ministri.





