Shiroka po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një destinacion që ofron gjithçka për një verë të paharrueshme. Vizitorët vlerësojnë bukurinë e Liqenit të Shkodrës, qetësinë, mikpritjen dhe gastronominë, ndërsa sportet ujore, si SUP, po e bëjnë eksperiencën edhe më të veçantë për të gjithë ata që zgjedhin ta eksplorojnë liqenin në një mënyrë ndryshe.
Dëshmitë e disa prej turistëve:
“Përshëndetje, unë jam Maxim. Jam nga Belgjika dhe do të qëndroj 19 ditë në Shqipëri. Dje shkuam për të notuar. Liqeni është vërtet shumë i bukur. Uji është i ngrohtë, nuk ka shumë njerëz dhe atmosfera është shumë e këndshme. Sot do të bëjmë lundrim me dërrasë drejt urës pranë kalasë. Besoj se do të jetë një eksperiencë shumë argëtuese.”
“Jam nga Anglia. Erdha sepse është një vend kaq i bukur. Ndoshta është vendi më i bukur që kam vizituar ndonjëherë, ndaj ndihem me shumë fat që jam këtu. Mendojmë se është mahnitës dhe të gjithë njerëzit që kemi takuar kanë qenë shumë miqësorë dhe mikpritës. Është një përvojë e mrekullueshme.
“Sigurisht që do ta rekomandoj. Mamaja ime dëshiron të shohë disa fotografi, sepse edhe ajo ka shumë dëshirë të vijë këtu. Është një vend ku nuk kishim qenë më parë. Nuk kam udhëtuar shumë në Evropën Lindore, ndaj kjo është një zonë krejtësisht e re për mua.”
Buzë liqenit dhe në hijen e malit të Taraboshit, Shiroka, 6 km larg Shkodrës, është një prej pasurive natyrore të kryeqendrës së veriut. Vizitorët mund të zgjedhin ta bëjnë me biçikletë udhëtimin nga qyteti drejt fshatit të peshkatarëve.
/vizionplus.tv





