Sëmundjet e zemrës vijojnë të jenë shkaku kryesor i vdekjeve në vend. Sipas raportit më të fundit të INSTAT, ato përbënin 52,9% të totalit të vdekjeve gjatë vitit 2025, duke zënë vendin e parë ndër shkaqet e vdekshmërisë.
“Ka një sëra faktorësh që lidhen qoftë me mënyrën e jetësës, qoftë me mënyrën e të ushqyerit, lidhur drejtpërdrejtë me sëmundjet e hipertensionit të diabetit, të yndyrnave të larta në gjak. E lidhur kjo dhe me një sërë faktorësh të tjerë që quhen shoqëror, qoftë stresi apo faktorë të tjerë psikologjik që ndikojnë tek pacientët qoftë edhe tek moshat e reja”, tha Leonard Simoni, mjek kardiolog
Mjekët kardiologë shpjegojnë se, në rastin e një infarkti, zemra mund të japë sinjale paralajmëruese, megjithatë, në shumë raste infarkti mund të ndodhë papritur, pa asnjë shenjë paraprake.
“Një pjesë të mirë të rasteve mund të japi sinjale, mund të japi disa shenja paraprake të lidhura këto me dhimbjen e gjoksit të shfaqura në aktivitet fizik apo dhe në qetësi në raste të caktuara të cilat mund të jenë të përsëritura tek pacientët tek individët dhe paraqiten në spital në kushtet e infarktit të miokardit. Ka raste kur nuk ka fare shenja dhe mund të jetë e menjëhershme. Në qoftë se pacienti ka pasur shenja do duhet të drejtohet tek mjeku kardiolog i cili pastaj do kërkoj ekzaminimet e duhura përfshirë edhe ekon e zemrës, provën ushtrimore të cilat nëse do të rekomandohen nga mjeku kardiolog”, shtoi Simoni.
Temperaturat e larta gjatë stinës së verës janë një tjetër faktor që rrit rrezikun. Sipas specialistëve, incidenca e infarktit kardiak shtohet me 10 deri në 20% gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye, ekspertët e shëndetit ju drejtohen qytetarëve me disa këshilla.
“Rekomandohen që të gjithë individët mbi moshën 35-40 vjec të paktën duhet të bëjnë një vizitë tek mjeku kardiolog, njeherë në vit, sidomos tek ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese apo një trashëgimi familjare. Duhet rekomanduar marrja e lëngjeve të tepërta, një kontroll tek mjeku kardiolog, qoftë edhe puna e kryer në orët e pikut do duhej patjetër të shmangej për të reduktuar sa të jetë e mundur infarktin”, tha mjeku.
Shqetësues mbetet edhe fakti se infarktet po prekin gjithnjë e më shumë moshat e reja. Të dhënat e INSTAT tregojnë se për grupmoshën 0–19 vjeç, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve, me 28,5%, të ndjekura nga sëmundjet që shfaqen në periudhën rreth lindjes, me 22,2%.





