Protestat e zhvilluara prej më shumë se një muaji në Shqipëri, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, u bënë pjesë e fjalimit të Kryeministrit Edi Rama në Ruhr Summit në North Rhine-Westphalia.
Duke folur për ndikimin e inteligjencës artificiale dhe algoritmeve në demokraci, Rama tha se protestat përbëjnë një mesazh të rëndësishëm për qeverinë e tij dhe se ato duhen dëgjuar me kujdes.
Ai theksoi se nuk i vlerëson ato nga numri i pjesëmarrësve apo nga jehona në rrjetet sociale, por nga shqetësimet dhe pritshmëritë që qytetarët shprehin përmes tyre. Sipas Ramës, pas zhvillimit të protestës në terren, ndërhyri mekanizmi i algoritmeve të platformave digjitale, duke e shtrembëruar perceptimin e ngjarjeve.
Ai argumentoi se realiteti online u bë më ndikues sesa ai fizik, pasi çdo reagim emocional u amplifikua dhe nuancat u zhdukën. Kryeministri e cilësoi këtë një problem që prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe demokracitë perëndimore.
Në përfundim, ai paralajmëroi se algoritmet po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si formohet opinioni publik dhe debati politik.
Rama: Flasim për AI dhe me shumë të drejtë flasim shumë më pak për vëmendjen artificiale, vëmendja është bërë burimi më i rrallë në demokraci. Për breza të tërë besimin se fuqia vinte prej informacionit. Sot informacioni është i bollshëm, vëmendja ëhstë pushtet dhe kushdo formëson vëmendjen, gjithmonë e më tepër formëson perceptimin, interneti premtoi të demokratizonte informacionin. Ajo çfarë pak veta parashikuan ishte shfaqja e një aktori të ri politik, algoritmit, algoritmi nuk ka llogaridhënie demokratike, nuk ka detyrimin e paanshmërisë. Algoritmi nuk ka një angazhim për të sjellë të dhëna, ka vetëm një objektiv, optimizimin. Indinjata thuajse githmonë ka rezultate më të mira se sa nuanca.
Disa javë më parë në vendin tim, ndoshta e keni parë, u shndërrua në laborator të vogël të kësaj dukurie të madhe. Shumë prej jush mund të keni dëgjuar për atë çfarë u njoh ndërkombëtarisht si revolucion i flamingove. Si kryeministër e konsideroj këtë protestë një mesazh të rëndësishëm për mua dhe për qeverinë time. Po dëgjoj dhe po përpiqem ta kuptoj këtë mesazh me shumë, shumë kujdes. Jo duke numëruar njerëzit në rrugë, e jo duke matur hashtaget, por duke u përpjekur të kuptojë shqetësimet, ankthet, shpresat që i sollën njerëzit aty. Qeveria që rresht së dëgjuar, rresht së qeverisuri e çfarëdolloj konkluzioni që ne kemi arritur tashmë përveç çështjes, në fakt nuk mund të themi që, domethënë ka arritje të një gjëje të vlefshme sepse ka pjesë në transformimin demokratik të Shqipërisë sepse kemi jetuar në një kohë kur protestat nuk lejoheshin, marrëveshja ishte e detyrueshme, dakordësia ishte e detyrueshme dhe erdhëm në një periudhë ku protestat u bënë të rrezikshme dhe në të njëjtin bulevard ku flamingot festojnë lirinë, kishim njerëz që u vranë, protestues të cilët humbën jetët jo shumë kohë më parë.
Por ajo çfarë dua të them është se pas gjithë kësaj të mire erdhi e keqja, modeli i biznesit. Protesta hyri në makinerinë e amplifikimit algoritmik dhe u shndërrua në arenën e aktorëve dashakeq. Realiteti kërkonte një binjak digjital. Çdo zë u shndërrua në rekomandim. Çdo ekzagjerim u shndërrua në angazhim. Çdo reagim emocional u bë një tjetër sinjal që platformat të prodhonin edhe më shumë nga e njëjta gjë dhe çdo nuancë u zhduk. Konteksti u zhduk, kompleksiteti u zhduk dhe protesta online ndërkohë nuk po përshkruante protestën, por ishte një demonstrim më i madh, më i thjeshtë, më i zemëruar dhe në fakt më tej miliona njerëz të cilët nuk kishin vënë as këmbën në Shqipëri, nuk përjetuan vetë demonstratën, por interpretimin e algoritmit të kësaj demonstrate dhe realiteti digjital u bë më ndikues sesa ai fizik dhe kjo është e shëmtuar. Jo qytetarët, jo protesta, shtrembërimi, zëvendësimi i realitetit përmes optimizimit dhe kjo nuk është një histori vetëm shqiptare.
Komenti i fundit, demokracitë janë duke dëmtuar veten. Kam frikë deri në një pikë moskthimi, sepse demokracitë, të mëdhatë duke filluar që këtu e në vende të tjera të mëdha ku nuk ka dyshim që ka demokraci në veprim, ende nuk kanë gjetur kurajën për të bërë dallimin midis lirisë së shprehjes të fjalës dhe lirisë së shpërndarjes. Trajtimi i lirisë së shpërndarjes apo të shtrirjes si zgjatimi i lirisë së fjalës do të thotë të heqësh dorë nga e vërteta, të heqësh dorë nga nuanca, të heqësh dorë nga dyshimet dhe të bësh apo të lësh të ndodhë diçka që diktatura e ka bërë gjithmonë. Çdo diktaturë mbështetet te shpërndarja, te shtrirja në çdo mendje, te mbjellja në çdo tru të vërtetës së vet zyrtare duke shtypur çdo alternativë tjetër dhe çdo mendim tjetër. Algoritmi nuk ka nevojë që të shtypë përmes një policie sekrete apo duke rrahur njerëz në rrugë apo edhe duke mbajtur të burgosur politikë.
Algoritmi thjesht mbyt gjithçka tjetër përveç indinjatës dhe kjo është ajo pastaj që ju shihni në Gjermani e ajo që shohim kudo në Europë, shohim si politika bëhet gjithmonë e më shumë një fushë betejë midis ekstremeve e se si qendra bëhet gjithmonë e më shumë një hapësirë e zbrazët ku çdo ekstrem që merr votat për të drejtuar vendin e që reket të vijë më shumë në qendër prodhon një tjetër ekstrem që është edhe më keq se çka qenë ky ekstrem apo se ç’është konsideruar të ishte? Cili është fundi i kësaj? Nuk e di. Gjëja më e mirë e të qenit kryeministër i Shqipërisë është që nuk supozohesh të ndreqësh problemet e botës dhe nuk supozohet që t’u japësh përgjigje pyetjeve që Franca, Gjermania e të tjerë duhet t’u përgjigjen më mirë herët sesa vonë.





