Pas aksidentit të rëndë të ndodhur një ditë më parë në autostradën Tiranë–Durrës, Spitali Universitar i Traumës ka njoftuar se 5 pacientë, të cilët ditën e djeshme janë paraqitur më të stabilizuar, pas trajtimit mjekësor janë larguar nga spitali
Gjithashtu, pritet që edhe një pacient tjetër të dalë gjatë ditës, pasi është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë një fëmijë 8-vjeçar vijon të trajtohet në reanimacion, por në gjendje stabël.
Në reanimacion ndodhet edhe një shtetase çeke me origjinë vietnameze, 56 vjeçe. Ajo është në monitorim intensiv dhe, megjithëse ka parametra jetësorë stabël, gjendja e saj mbetet e rëndë për shkak të dëmtimeve të shumta.
Ndërsa fëmija tjetër 14-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në pavijon nën kujdesin e stafit mjekësor, pasi ka dëmtime në gjymtyrët e poshtme.
Sa u përket të plagosurve të tjerë që ndodhen ende në observimin e Urgjencës dhe i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, Spitali bën me dije se gjendja e tyre është e stabilizuar. Mes tyre është edhe një shtetase çeke me origjinë vietnameze, 20 vjeçe.
Nga ana tjetër policia beson se aksidenti i rëndë ka ndodhur për shkak të arrestit kardiak të shoferit 36 vjeçar Redion Hasimi. Kjo pasi drejtuesi i mjetit nuk ka frenuar dhe nuk ka tentuar të ndalojë mjetin.
Shoferi bënte thuajse çdo ditë bënte rrugën Tiranë-Berat dhe anasjelltas.
Nga verifikimet e policisë 36-vjeçari nuk rezulton se po lëvizte me shpejtësi tej normave. Policia rrugore e Tiranës ka kryer verifikime dhe nuk rezulton se shoferi të ketë qenë problematik apo me shkelje rrugore të konstatuara.





