Gazetari: Në protestë s’ka vetëm studentë! Janë edhe të rriturit që dilnin para bashkisë kundër Veliajt

Gazetari i Vizion Plus Esido Barkaj ka dhënë detaje të reja lidhur me protestën që po zhvillohet në Tiranë.
Në një lidhje live me Fjodora Fjorën në emisionin “Takohemi n’Vizion”, Barkaj tha se në tubim nuk po dalin vetëm studentë, por edhe persona të rritur. Sipas gazetarit, në shesh kanë dalë të njëjtët persona, të mbështetur nga Partia Demokratike, që dilnin pak vite më parë para Bashkisë së Tiranës që protestonin kundër Erion Veliajt.
“Protestuesit kanë vendosur zjarrin një kioske në Rrugën e Elbasanit. Flakët shkonin deri në katin e 8 të pallatit. Situata është e tensionuar. Protestuesit kanë bllokuar rrugën me kazanët e mbeturinave që të mos kalojnë makinat e policisë. Nuk dihet se kur do të mbyllet protesta. Shqetësuese mbetet dëmtimi ndaj bizneseve, ku i kanë dëmtuar dhe grabitur disa prej tyre. Në protestë nuk ka vetëm studentë por ka edhe persona të rritur. Janë të njëjtët me ata që dilnin me PD për të protestuar para bashkisë së Tiranës. Deri më tani, protestuesit thonë se nuk kanë lidhje me partitë politike, por një pjesë e tyre janë të mbështetura nga Partia Demokratike”, tha Barkaj.




