Poetja e njohur, Mimoza Ahmeti, e ftuar në studion e emisionit QUO VADIS të moderatores Pranvera Borakaj, ka folur për sakrificat e jetës së saj dhe sfidat e martesës.
Fituesja e spektaklit Ferma VIP 3, në një rrëfim të sinqertë, ka ndarë me publikun përjetimet e mëmësisë në një moshë kur ajo nuk ishte ende gati për t’u bërë nënë.
“20 e ca vjet martesë, që kanë qenë shumë të vështira, për arsye të ekonomisë shumë të vështirë, pata vështirësi me familjen e tim shoqi sepse ishte pak më i ri, unë kisha disa vështirësi të tjera, edhe pse isha shkrimtare shumë e njohur, që doli në profesion të lirë 25 vjeç, më e reja në gjithë Lindjen, sepse Lindja e përdorte profesionin e lirë, që shumë shpejt ma hoqën nga xhelozia e burrave. Kjo jeta martesore, fëmijët erdhën njëri pas tjetrit. Fëmijë, që do ta pranoj ahpur, nuk e kisha programuar që doja të bëhesha nënë aq shpejt. Unë isha tërësisht në lartësinë e krijimtarisë, të një shkolle që kisha studiuar në mënyrë intensive. Në të gjithë këtë panoramë, ekzistenca familjare, 2 fëmijë, fakti që duke patur fëmijë, je e impenjuar, bllokohesh prej tyre”, tha Mimoza Ahmeti.
Mimoza Ahmeti tregoi se vajzat e saj e kanë patur të vështirë t’a pranonin dëshirën e poetes për të rifilluar një jetë të re, pas divorcit nga ish-bashkëshorti.
“Martesa të sheh si një pronë të sajën, ku përfshihet partneri, fëmijët të shohin si pronën e nënës, burri të sheh si pronën e burrit. Je një objekt i neglizhuar. Fëmija do nënën në çdo çast. Nuk do të dijë cilat janë ndjenjat e tua erotike, po kënaqesh a s’po kënaqesh ti. Duhet t’a themi hapur, siç është. Me shumë vështirësi dhe vonë, fëmijët mezi e kanë pranuar pretendimin tim për të filluar një jetë nga fillimi. Është e pafajshme nga ana e tyre, sepse ata kanë parë “nënën” dhe atë duan të shohin deri në fund. Edhe bashkëshorti kishte parë një grua relativisht të nënshtrueshme. Përveç faktit që unë që në 2007-ën, kur isha ende me të, fillova Master-in, në 2010-ën kapa Doktoratën. Dhe në fund, kur u ndamë, ai më tha një gjë që ishte tronditëse: “Ti asnjëherë nuk i harrove qëllimet e tua, krijimtarinë tënde”. Unë kam jetuar e dyzuar gjithë jetën familjare, ishte familja, dhe njeriu që unë doja ta procesoja deri në fund”, u shpreh fituesja e Ferma VIP 3, Moza Ahmeti.
/vizionplus.tv





