Një valë ekstreme të nxehti ka përfshirë Evropën Perëndimore, duke sjellë temperatura rekord në disa vende. Franca regjistroi ditën më të nxehtë në historinë e saj, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja shënuan nivele të pazakonta të temperaturave për muajin qershor.
Miliona njerëz po përballen me temperatura ekstreme, që në Paris arritën pothuajse 41 gradë Celsius.
Në Francë, treguesi kombëtar i temperatures, që përllogaritet nga mesatarja e temperaturave ditore dhe të natës në dhjetëra pika matëse, arriti në 30 gradë Celsius të mërkurën, niveli më i lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1947.
Më shumë se gjysma e territorit francez mbetet nën alarm të kuq. Dhjetëra mijëra banesa në perëndim të vendit kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rrezik të shtuar të zjarreve në pyje.
Dy prej monumenteve më të njohura të Parisit, Muzeu i Luvrit dhe Kulla Eiffel, u mbyllën më herët se zakonisht për shkak të temperaturave të larta. Përfaqësues të Luvrit deklaruan se ndërtesa nuk është e përshtatur mjaftueshëm për kushtet e reja klimatike.

Sipas raportimeve, të paktën 40 persona kanë humbur jetën në incidente të lidhura me valën e të nxehtit në Francë që nga e enjtja e kaluar, përfshirë edhe një fëmijë gjashtëvjeçar në një plazh në rajonin Gironde.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë ndjeshëm në rritjen e temperaturave në Evropë. Sipas shërbimit klimatik Copernicus, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale.
Edhe Mbretëria e Bashkuar përjetoi temperatura rekord. Në Gosport të Hampshire u regjistruan temperature 36.1 gradë Celsius, dita më e nxehtë e qershorit e regjistruar ndonjëherë në vend. Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë deri në 38 gradë Celsius.

Në Spanjë, agjencia kombëtare e motit raportoi temperaturat mesatare ditore më të larta të regjistruara ndonjëherë për muajin qershor. Në disa zona të veriut të vendit priten temperatura deri në 42 gradë Celsius.
Alarmet për vapën ekstreme janë në fuqi edhe në Itali, Gjermani, Holandë, Belgjikë dhe vende të Evropës Lindore si Polonia, Kroacia dhe Hungaria. Autoritetet në disa rajone gjermane kanë bërë thirrje për kursimin e ujit për shkak të frikës nga thatësira, ndërsa në disa qytete janë vendosur ndalime për ndezjen e skarave në ambiente të hapura për të shmangur rrezikun e zjarreve.

Meteorologët parashikojnë se një lehtësim gradual i temperaturave do të nisë nga dita e premte në pjesë të Francës, megjithëse vala e të nxehtit pritet të vazhdojë të ndikojë në shumë rajone të Evropës gjatë ditëve në vijim.





