Qytetarë në Shkodër, Korçë dhe Pogradec kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar investimin në Zvërnec.
Në Shkodër, protesta u zhvillua për të dytën ditë radhazi. Qytetarët marshuan përgjatë pedonales së qytetit dhe më pas u ndalën përpara bashkisë, duke mbajtur pankarta në duar dhe duke artikuluar thirrje kundër klasës politike. “Shqipëria e shqiptarëve”, “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “Pro familjes” ishin disa nga sloganet e dëgjuara gjatë tubimit.
Edhe në Korçë u zhvillua një marshim protestues në rrugët kryesore të qytetit. Pensionistë, fermerë, artistë dhe të rinj iu bashkuan tubimit, duke përcjellë mesazhe kundër qeverisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore nën monitorimin e forcave të policisë. Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.
Ndërkohë, pas Korçës, protestës iu bashkuan edhe qytetarët e Pogradecit. Të rinj, të moshuar dhe familjarë dolën me pankarta në duar duke kërkuar ndalimin e investimeve që, sipas tyre, dëmtojnë qytetin dhe zonat e mbrojtura. Protestuesit kërkuan më shumë transparencë dhe mbrojtje të pasurive natyrore.
g>/vizionplus.tv





