Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të diel në qytetin e Elbasanit, duke festuar 35-vjetorin e PS-së.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se nëse ai jep dorëheqjen, kush do i dali në mbrojtje Shqipërisë për rrugën drejt BE-së.
Rama: Nëse je i shqetësuar për flamengot, për natyrën, sesi një zhvillim të mos e dëmtojë natyrën, je i pari që je i interesuar për faktet, jo për gënjeshtrat. Je i pari që do të dëgjosh si është e vërteta dhe jo të bësh tangërllikun: ‘Nuk duam të dëgjojmë, duam dorëheqjen’. Cilën dorëheqjen? Dorëheqjen nga misioni i PS për anëtarësimin e Shqipërisë në BE? Kush do i dali në mbrojtje Shqipërisë, ta përfaqësojë atje?
Sa i përket investimit në Zvërnec, Rama deklaroi se ai resort që pritet të ndërtohet atje, do të jetë motorr për gjithë ekonominë shqiptare.
Rama: Shikoni Greqinë se çfarë ka bërë me turizmin dhe shikoni edhe Malin e Zi në veri, sesa shumë kanë fituar me turizmin. Mali i Zi është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor për pensione, për paga dhe mirëqenie. Është një vend që nuk ka industri dhe bujqësi. Si ka mundësi që ka të ardhura për frymë më të larta edhe se vetë Serbia? Vetëm për një arsye, sepse Mali i Zi ka bërë atë që sot na ka ardhur radha ta bëjmë ne dhe që kanë dalë në protestë ata atje. Dhe për këtë është bërë gjithë kjo çorbë, duke ngatërruar mbrojtjen e natyrës me lloj lloj axhendash të tjera. Nëse ai projekt në Malin e Zi do të ishte bërë këtu, ku edhe ishte në fillim, sepse këtu i mbyllën derën atij investitorit kanadez, më saktë i kërkuan pjesën, atëherë Mali i Zi nuk do të ishte bërë ky që është sot. Ata që thonë ‘ne nuk na duhet turizmi i luksit’, ata nuk e dinë se ato resorte dhe hotele janë motor të ekonomisë së tyre. Sepse ato resorte dhe hotele nuk janë të shkëputura nga realiteti i vendit. Ato resorte janë arsyeja që shteti merr më shumë taksa. Ai Porto Montenegro në Tivat, u vendos në një zonë që ishte zona më e prapambetur në Malin e Zi. Sot Tivati pret 5 milionë turistë në vit. Projekti që po i bëhet rezistencë në mënyrën më absurde, është një investim prej 4 miliardë eurosh dhe është investimi më i madh në Europë prej shumë vitesh. Ne ta bëjmë si lopa, që e mbysh kupën dhe pastaj i bie me shkelm në fund.
/vizionplus.tv





