Pak ditë përpara finales së madhe të Miss Shqipëria 2026, e cila do të zhvillohet më 6 qershor në Pogradec, konkurrentet e këtij edicioni zhvilluan një vizitë në Kastoria të Greqisë, një nga qytetet më të njohura.
Të shoqëruara nga stafi organizator, vajzat patën mundësinë të njihen nga afër me historinë, kulturën dhe traditat e këtij destinacioni turistik, duke pasuruar eksperiencën e tyre përpara natës finale.
Pas mbërritjes në Kastoria, programi vijoi me aktivitete të ndryshme kulturore dhe turistike.
Një nga ndalesat më interesante ishte Shpella e Dragoit, një prej atraksioneve më të vizituara të zonës. E njohur për liqenet nëntokësore, sallat dhe korridoret e saj natyrore, shpella mbart edhe një legjendë të lashtë që e lidh atë me një dragua që ruante një minierë ari.
Vizita vijoi më pas pranë Manastirit Panagia Mavriotisa, një monument i rëndësishëm fetar dhe historik i rajonit, ku konkurrentet u njohën me vlerat kulturore dhe trashëgiminë e zonës.
Moment i veçantë ishte shëtitja përgjatë bregut të liqenit dhe lundrimi në ujërat e qeta të Kastorias, që u ofroi vajzave pamje panoramike dhe momente relaksi mes natyrës së mrekullueshme.
Vizita në Kastoria u mbyll me aktivitete tradicionale, ndërsa emocionet për finalen e madhe të Miss Shqipëria po shtohen nga dita në ditë.
Ky udhëtim shërbeu jo vetëm si një eksperiencë turistike, por edhe si një mundësi për të promovuar njohjen me kulturat dhe traditat e rajonit, pak përpara kurorëzimit të fitueses së re të Miss Shqipëria 2026.





