Astrologia Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit për muajin qershor në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.
Sipas astrologes Meri Gjini, qershori nis me një energji verore që na nxit drejt argëtimit dhe lëvizjes. Ky muaj do të favorizojë ndjeshëm fëmijët dhe studentët, duke i ndihmuar ata në menaxhimin e stresit, ankthit dhe në arritjen e rezultateve të larta në provime, falë pozicionit të Mërkurit te Gaforrja. Data 13-14 qershor shënon një kthesë të rëndësishme me kalimin e Venusit te Luani, duke nxitur pasionin, emocionet e forta dhe vendimet e rëndësishme familjare.
Parashikimi për secilën shenjë:
Dashi
Dashët janë plot ide dhe kanë objektiva të qarta, por duhet të kenë kujdes që të mos e shpërndajnë energjinë e tyre në shumë drejtime. Nëse fokusohen, ky muaj do të sjellë zhvillime shumë të forta. Pas datës 14 qershor, Venusi te Luani do të rigjallërojë pasionet e tyre personale dhe emocionale, duke favorizuar flirtet dhe romancën.
Demi
Me Marsin në shenjën e tyre deri më 28 qershor, Demët do të kenë një agjendë të mirëstrukturuar dhe të qëndrueshme. Pjesa e dytë e javës së parë sjell mundësi të shkëlqyera për përfitime ekonomike. Ata do të kenë kontroll të plotë mbi komunikimin e tyre, duke zgjedhur të jenë tolerantë dhe të butë kur u intereson.
Binjakët
Binjakët janë ndër më të privilegjuarit e muajit. Edhe pse është kohë vere, karriera dhe profesioni do të jenë prioriteti i tyre, duke marrë vendime të rëndësishme dhe të mirëmenduara. Ky muaj sjell rrjedhshmëri në programet e tyre dhe zhvillime shumë të shpejta që i përshtaten natyrës së tyre.
Gaforrja
Për Gaforret, ky është një muaj i stabilitetit në punë dhe i qartësimit të planeve afatshkurtra. Mërkuri në shenjën e tyre për dy muaj do t’u japë mundësinë të ndajnë idetë dhe të vendosin kufij të qartë. Bashkimi i Venusit me Jupiterin favorizon blerjet e rëndësishme (si pronat), marrëveshjet e mëdha dhe gëzimet familjare.
Luani
Luanët do të kenë një muaj të mbushur me punë, por edhe me përmirësime të ndjeshme financiare. Fokusimi te detyrimet profesionale do të sjellë rezultate të shpejta. Pas datës 14 qershor, me hyrjen e Venusit në shenjën e tyre, nis një periudhë e mbushur me emocione të forta dhe “loja e dashurisë” bëhet prioriteti i tyre.
Virgjëresha
Marsi favorizon vazhdimësinë e punës, por Virgjëreshat duhet të bëjnë plane afatshkurtra. Mërkuri te Gaforrja ndihmon shumë në kontaktet sociale dhe bashkëpunimet në distancë. Pas datës 13 qershor, do të ndiejnë një lehtësim fizik dhe përmirësim të shëndetit, si për veten ashtu edhe për familjarët.
Peshorja
Peshoret do të udhëhiqen nga emocionet. Gjysma e parë e muajit është e fokusuar te shtëpia dhe vendimet për zgjerim familjar. Në gjysmën e dytë, ata do të jenë në qendër të vëmendjes, duke marrë vlerësime dhe komplimente. Venusi te Luani i bën të ndihen dhe të duken më të bukurit e territorit.
Akrepi
Ky është një muaj shumë i rëndësishëm për investime afatgjata, zgjerim profesioni dhe blerje të rëndësishme për shtëpinë. Akrepat do të kenë mbështetjen e plotë të familjes në çdo lëvizje. Megjithatë, duhet të kenë kujdes me tendencën për të dominuar apo imponuar vullnetin e tyre brenda mureve të shtëpisë.
Shigjetari
Në ambientin e punës mund të ketë paqëndrueshmëri ose ndryshime të kolegëve, por kjo nuk është domosdoshmërisht keq. Gjysma e dytë e qershorit do të jetë fantastike, veçanërisht për ata që duan të ndryshojnë shtëpi, të shpërngulen ose të bien në dashuri.
Bricjapi
Bricjapët do të marrin propozime dhe ftesa për bashkëpunime pa i kërkuar vetë. Java e parë është e mirë për të mbyllur detyrimet ekonomike apo për të marrë shpërblime. Venusi te Luani mund t’i bëjë paksa egocentrikë, ndaj duhet të kenë kujdes që të mos lëndojnë njerëzit e rëndësishëm rreth tyre.
Ujori
Pjesa e parë e muajit është ideale për të marrë në kontroll detyrimet bankare, pagesat dhe çështjet materiale. Kur Venusi të kalojë te Luani, do të kenë mundësi të rregullojnë çështjet e pronësisë. Ujorët do të tërheqin vëmendje si në planin profesional, ashtu edhe në atë personal, duke u ndier optimistë për të ardhmen.
Peshqit
Peshqit do të jenë disi më të tërhequr dhe të fokusuar te agjenda e tyre personale. Studentët e kësaj shenje kanë një muaj fantastik për testimet. Megjithëse arritja e objektivave ekonomike kërkon durim, gjërat do të fillojnë të lëvizin më thjeshtë dhe më shpejt nga fundi i javës.





