Janë hapur aplikimet për Skemën Kombëtare 2026, programi i mbështetjes financiare për fermerët shqiptarë që synon zhvillimin e bujqësisë, rritjen e prodhimit vendas dhe modernizimin e fermave në të gjithë vendin.
Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se skema përfshin 9 masa direkte mbështetjeje dhe 3 masa investimi për sektorin bujqësor dhe blegtoral.
Masat direkte të mbështetjes:
- Tufa bazë e matrikulluar e gjedhit
- Tufa bazë e matrikulluar e imtave
- Mbarështimi i bletarisë
- Tufa bazë e matrikulluar e dosave dhe/ose paradosave
- Kontrolli biologjik i dëmtuesve në sera dhe tunele plastike
- Fermat organike
- Implementimi dhe certifikimi Global GAP
- Mbështetja për sipërfaqet e mbjella
- Ripopullimi i peshkimit në ujërat e brendshme
Masat e investimit:
- Mbështetje për fermerët e rinj
- Ndërtim dhe rikonstruksion stanesh
- Pajisje, makineri dhe mjete për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, u bëri thirrje fermerëve të aplikojnë për 12 masat mbështetëse.
“Së bashku krijuam Skemën Kombëtare. Është koha që të aplikoni për 12 masat mbështetëse. Më 25 maj hapim thirrjen kombëtare. Apliko”, deklaroi ministri.
Aplikimet do të kryhen online përmes platformës e-Albania.





