Vendosja e kamerave inteligjente në shkolla mbetet një çështje e ndjeshme, që kërkon balancë mes sigurisë dhe privatësisë së nxënësve. Sipas Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, thelbësore mbetet siguria e të dhënave dhe kufizimi i aksesit në kamera.
“Në momentin që vendoset të ngrihet një sistem, të ndërtohet një sistem, ai duhet të jetë i ndërtuar në një formë të tilë që të jetë sa më pak i cenueshëm për rrjetin e të dhënave, sa më pak i aksesueshëm, që do të thotë vetëm individë të caktuar duhet të kenë akses në këto sisteme dhe në masat të larta sigurie, pra të ruhen konfidencialiteti i këtyre të dhënave”, thotë Meri Kujxhija, drejtore e Drejtorisë së Ankesave dhe Harmonizimit, KDIMDP.
Ligji i ri i vitit 2024, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, shoqërohet me një akt nënligjor të posaçëm, ku përcaktohen rregullat për vendosjen e kamerave.
“Një nga kriteret kryesore është ekzistenca e një baze ligjore për vendosjen e tyre, pra një detyrim i përcaktuar për ambiente specifike. Një tjetër kriter është pëlqimi i subjekteve të të dhënave, pra miratimi i individit për t’u monitoruar, si dhe raste që lidhen me sigurinë kombëtare apo interesin e ligjshëm të subjektit që përpunon të dhëna”, thotë Kujxhija.
Këto sisteme nuk mund të vendosen në çdo ambient.
“Nuk mund të vendosen kamera kudo. Kryesisht kamerat rekomandohen që të vendosen në ambiente të përbashkëta, që do të thotë në hyrje në shkollës, në oborrë, në korridore dhe jo në klasa, përvec rasteve të veçanta, ku mund të bëhet një analizë e mirëfilltë që justifikon vendosjen e këtyre kamerave. Nuk lejohet vendosja në tualete, në ambiente të dhomave të zhveshjes, pra kryesisht është në ambiente të përbashkëta”, sqaron Kujxhija.
Por, në raste të moszbatimit të ligjit, Komisioneri kryen edhe hetime administrative mbi bazë ankese nga qytetarët apo kryesisht me iniciativë të tij.Të dhënat e rregjistruara mund të ruhen deri në 72 orë dhe jo më shumë se 30 ditë, me përjashtim kur rregullohet me akt normativ të posaçëm.





