Durim Bami do të transferohet nga paraburgimi “313” në Tiranë drejt burgut të Fushë-Krujës, pasi kërkesa e tij është miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Kërkesa për transferim ishte paraqitur disa javë më parë, por është aprovuar vetëm së fundmi nga drejtori i ri i institucionit, Adriatik Kupi, pas një refuzimi fillestar nga paraardhësi i tij, Klevis Qose.
Bami kishte kërkuar zhvendosjen menjëherë pas ekstradimit të tij nga Dubai, duke argumentuar se në paraburgimin “313”, si edhe në burgjet e Peqinit dhe Reçit në Shkodër, ndodheshin persona që përbënin rrezik për jetën e tij.
Sipas kërkesës, burgu i Fushë-Krujës konsiderohej si opsioni më i sigurt. Ndërkohë, avokati i tij, Ilir Murati, ka deklaruar se klienti i tij përballet me probleme shëndetësore, kushte të papërshtatshme dhe stres të vazhdueshëm për shkak të bashkëjetesës me persona të akuzuar për vepra të rënda penale.
Durim Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për disa vepra penale, përfshirë sigurimin e mjeteve për të kryer vrasje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kultivim të bimëve narkotike dhe kryerje veprash penale në kuadër të një organizate kriminale.
/vizionplus.tv





