Vendet e shenjta dhe hapësirat mistike në Shqipëri vazhdojnë të tërheqin mijëra besimtarë çdo vit, të cilët kërkojnë shërim, qetësi shpirtërore apo zgjidhje për problemet e tyre. Nga Mali i Tomorrit te Kisha e Laçit dhe Sari Salltiku në Krujë, këto destinacione konsiderohen si pika me energji të veçantë.
I ftuar në “Mes’Dritë” në Vizion Plus, okultisti Enea Gjonaj dha një shpjegim alternativ për fenomenin, duke e lidhur atë me energjinë e tokës dhe besimin njerëzor.
“Në vende të caktuara lutja pranohet më shumë. Kjo është e shprehur edhe në shkrimet e shenjta.”
Sipas tij, shumë prej këtyre zonave kanë qenë qendra të lashta pagane:
“Këto vende nuk u zhdukën me ardhjen e feve të reja, por u transformuan. Energjia e tyre mbeti. Toka ka ‘damarët’ e vet, si trupi i njeriut. Ka pika ku energjia kryqëzohet dhe aty fuqia është më e madhe. Ka pafund njerëz që tregojnë për shërime dhe mrekulli në këto vende”
Sipas tij, vende të caktuara mund të ndikohen nga ngjarjet historike dhe vuajtjet njerëzore, të cilat, në interpretimin e tij, mund të perceptohen si prani “energjetike” ose “astrale”. Në Shqipëri, Enea Gjonaj përmendi Malin e Dajtit si një zonë ku ndihen energji të pazakonta dhe të rënda.
“Unë personalisht te zonat e Dajtit, te Mali me Gropa, atje kam ndjerë energji shumë negative. Mendoj se ka fantazma, që thuhet që janë viktima të periudhës diktatoriale. Ndjen si etnitete. Si një grumbull që vjen si hije. Ndihesh si i mpirë e ndjen nga energji. Spitalet dhe varrezat, ti hyn dhe del si i mpirë“, tha ai.
/vizionplus.tv





