Policia e Durrësit ka zbardhur vdekjen e një 59-vjeçari, i cili humi jetën 5 ditë më parë, më 13 prill në lagjen nr.18.
Fillimisht u dyshua se 59-vjeçari kishte humbur jetën për shkaqe natyrale, por policia ka zbuluar se pas një konflikti një 42-vjeçar e kishte goditur me grushte duke i shkaktuar vdekjen.
Autori i dyshuar është vënë në pranga për veprën penale “vrasja nga pakujdesia”.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit, në bashkëpunim me Prokurorinë, nisën verifikimet pas vdekjes së shtetasit S.M., 59 vjeç, banues në Durrës. Fillimisht u dyshua se ai kishte humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.
Megjithatë, nga veprimet hetimore rezultoi se më datë 13.04.2026, në lagjen nr. 18, Durrës, shtetasi G.K., 42 vjeç, është konfliktuar për motive të dobëta me 59-vjeçarin dhe e ka goditur me grushte. Si pasojë e goditjeve, viktima ka humbur ndjenjat, ka rënë në asfalt dhe më pas ka ndërruar jetë.
Pas verifikimeve, u konstatua se vdekja nuk ka ardhur nga shkaqe natyrale, siç u dyshua fillimisht, por si pasojë e dhunës së ushtruar gjatë konfliktit.
Në përfundim të veprimeve, shtetasi G.K. u arrestua dhe po hetohet për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.





