Nga kjo fundjavë dhe përgjatë fundjavës së 25-26 prillit, në studiot e Vizion Plus kanë nisur zyrtarisht audicionet e “Miss Shqipëria”, duke shënuar hyrjen në një fazë të re të këtij kompeticioni të shumëpritur.
Pas përfundimit të aplikimeve online, ku mbi 400 vajza nga e gjithë vendi shprehën interesin për të qenë pjesë e garës, tashmë procesi vijon me audicionet e hapura.
“Besoj që nga raporti i aplikimeve, që kanë qenë mbi 430 e ca vajza që kanë aplikuar në website-in zyrtar të Miss Shqipërisë, do të ketë një interes të jashtëzakonshëm. Kjo edhe për vetë faktin që ky event prej 28 vitesh nuk është ndalur asnjë vit.
Edhe në vitet me vështirësi, si pandemia në 2020 dhe 2021, kemi vazhduar ta organizojmë live, si gjithmonë. Kështu që kërkesat janë në rritje dhe kjo tregon që Miss Shqipëria është një brand shumë serioz”, tha producenti Petri Bozo.
Prej vitit 1998, “Miss Shqipëria”, nën organizimin e Deliart Association dhe drejtimin e Petri Bozo, është kthyer në një platformë që shkon përtej bukurisë fizike. Kompeticioni promovon historinë, traditën dhe kulturën shqiptare, përmes një rrugëtimi simbolik në destinacione të ndryshme turistike të vendit, duke vënë në fokus identitetin kombëtar nën markën “Made in Albania”.
“Miss Shqipëria vazhdon të ruajë traditën që të mos organizohet asnjëherë në një sallë të mbyllur, por gjithmonë në natyrë. Pas një rrugëtimi prej 26 vitesh në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe monumenteve të kulturës, që i kemi ndjekur në mënyrë rigoroze, eventi do të vazhdojë tashmë edhe në qendrat e rinovuara të qyteteve, si pjesë e përparësive kombëtare. Këtë vit, për herë të parë, do të ndalemi në Pogradec, ku do të organizohen një sërë aktivitetesh përpara finales së madhe që do të mbahet më 6 qershor.”
Ky edicion shënon edhe rikthimin e “Miss Shqipëria” në ekranin e Vizion Plus, me një frymë të re bashkëpunimi dhe synimin për të sjellë një spektakël dinjitoz për publikun shqiptar.
/vizionplus.tv





