Policia italiane ka arrestuar një 25-vjeçar shqiptar me precedentë penalë, i dyshuar për trafik droge.
Operacioni u zhvillua në një rrugë qendrore në komunën e Ardea, ku efektivët konstatuan të riun duke i shitur një dozë kokaine një personi tjetër, menjëherë pasi kishte parkuar automjetin.
Blerësi rezultoi të ishte një 58-vjeçar nga Roma, i cili kishte mbërritur në zonë për të kryer blerjen.
Karabinierët ndërhynë menjëherë duke ndaluar si shitësin ashtu edhe blerësin, ndërsa droga e gjetur u sekuestrua. Blerësi u gjobit për përdorim personal të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm ndaj të dyshuarit dhe automjetit të tij, u gjetën doza të tjera kokaine dhe kanabisi, si dhe një peshore precize, që dyshohet se përdorej për ndarjen e dozave.
I riu u shoqërua në stacionin e Karabinierëve në Anzio, ku u mbajt në pritje të seancës gjyqësore.
Më pas, autoritetet gjyqësore, pasi konfirmuan arrestimin, urdhëruan edhe dëbimin e tij nga Italia. Karabinierët e shoqëruan 25-vjeçarin drejt Qendrës së Procedurave Civile në Brindisi për procedurat përkatëse.
/vizionplus.tv





