Presidenti amerikan Donald Trump u largua në mënyrë të fshehtë nga një aeroport në Turqi më 8 korrik, pasi shërbimet sekrete amerikane kishin marrë informacione për një plan të mundshëm të Iranit për ta goditur atë. Ndërsa publikut iu krijua përshtypja se Trump po hipte në Air Force One, presidenti u largua me një kontejner furnizimi dhe udhëtoi me një tjetër avion.
Sipas raportimeve, Trump zgjodhi të udhëtonte me një grup të kufizuar personash, mes tyre ndihmësja e tij Natalie Harp, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Dan Scavino dhe drejtori i operacioneve të Zyrës Ovale, Walt Nauta.
Burime të cituara nga mediat amerikane e kanë përshkruar Harp si një nga personat më të afërt me Trump në ekipin e tij.
35-vjeçarja e shoqëron shpesh presidentin gjatë udhëtimeve.
Një burim i njohur me lëvizjen e presidentit i ka cilësuar Harp, Nauta dhe Scavino si “tre truprojat” e Trump.
Ndërkohë, në Air Force One qëndruan disa zyrtarë të lartë të administratës, mes tyre sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Thesarit Scott Bessent, zëvendës shefi i stafit Stephen Miller dhe drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung.
Sipas CBS, Rubio dhe Bessent qëndruan në avion për të ruajtur linjën e pasardhësve në rast se Trump do të vritej ose do të bëhej i paaftë për të ushtruar detyrën.
Në një situatë të tillë, pasardhësi i parë do të ishte zëvendëspresidenti JD Vance.
Burime të cituara nga mediat ndërkombëtare thonë se Rubio dhe Bessent ishin në dijeni për itinerarin alternativ dhe lëvizjen sekrete të Trump. Një burim pranë Rubios deklaroi se disa anëtarë të kabinetit ishin të gatshëm të rrezikonin jetën për presidentin.





