Një koleksion i jashtëzakonshëm monedhash që datojnë në shekullin e XIII-të është gjetur në Manastirin e Shën Mërisë në Ballsh. Ky grup i përbërë nga 47 monedha, të cilat arkeologët i konsiderojnë si një thesar të vërtetë, ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për përmbajtjen dhe formën e tyre, por edhe për lidhjen që ato kanë me historinë e Manastirit.
“Ky zbulim ka një rëndësi të veçantë, pasi na ofron mundësinë për të pasuruar njohuritë tona rreth historisë së Manastirit. Mund t’i quajmë me plot të drejtë një thesar. Nga analiza e monedhave, kuptohet se manastiri ka pësuar dëme të mëdha nga një zjarr, duke na dhënë informacione të vlefshme për periudhën e shkatërrimit. Monedhat e gjetura i përkasin perandorëve Teodor dhe Emanuel”, tha arkeologu Elio Hobdari.
Disa prej tyre janë restauruar tashmë, ndërsa të tjerat janë në proces restaurimi. Monedhat kanë figura të qarta, me imazhe të perandorëve dhe shenjtorëve të njohur të asaj periudhe.
“Pasi morëm monedhat, ato ishin në një gjendje të tillë sa nuk mund të dallohej asnjë detaj. Restaurimi ishte një proces shumë delikat dhe kërkoi ndërhyrje të kujdesshme për t’i bërë ato të lexueshme. Pas pastrimit mekanik, monedhat u bënë të dukshme dhe detajet e figurave u bënë të qarta. Gjatë procesit, vërejtëm njolla të zeza në sipërfaqen e monedhave, që na çuan në përfundimin se ato kanë kaluar përmes një temperature shumë të lartë, mbi 800 gradë, duke treguar se kanë qenë të ekspozuara ndaj një zjarri të fortë”, tha restautori Frederik Stamati.
Ky koleksion përfshin monedha bizantine prej bakri dhe ofron një panoramë të vlefshme për politikën monetare të periudhës mesjetare, duke hedhur më shumë dritë mbi këtë periudhë të rëndësishme historike./vizionplus.tv





