Antidroga e Tiranës ka arrestuar një person të dyshuar si një nga furnizuesit kryesorë të heroinës në kryeqytet, i identifikuar si Gëzimi Muhameti (Demiri), i njohur me nofkën “Gëzim Qorri”.
Sipas burimeve hetimore, personi i arrestuar dyshohet se ka qenë i përfshirë prej më shumë se 20 vitesh në veprimtari të lidhura me trafikun e narkotikëve dhe furnizimin e grupeve të ndryshme kriminale në Tiranë.
Autoritetet dyshojnë se ai jo vetëm që shpërndante heroinë në kryeqytet, por në disa raste mund ta ketë transportuar atë edhe drejt Italisë. Lënda narkotike, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se sigurohej në Elbasan dhe më pas shpërndahej në Tiranë, ndërsa origjina e saj mendohet të jetë Turqia.
Hetuesit theksojnë se i arrestuari ka pasur rol furnizuesi për grupe më të vogla kriminale në kryeqytet, ndërsa aktiviteti i tij dyshohet të jetë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme për një periudhë të gjatë kohe.
Nga operacioni është sekuestruar edhe një sasi heroine me vlerë të përllogaritur mbi 50 mijë euro në tregun ilegal. Po ashtu rezulton se i dyshuari ka qenë i dënuar më parë për vepra penale të lidhura me narkotikët.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe bashkëpunëtorëve të përfshirë.
/vizionplus.tv





