Ambasadori amerikan takon drejtuesin e SPAK dhe kreun e BKH

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt, është takuar sërish me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
Takimi i sotëm vjen vetëm pak ditë pas vizitës së zhvilluar më 5 tetor, kur ambasadori amerikan u prit nga drejtuesit e institucioneve të drejtësisë së posaçme.
Gjatë takimit të 5 tetorit, Ambasada Amerikane bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te roli i institucioneve të pavarura në luftën kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm, çështje të renditura ndër prioritetet e administratës së Presidentit amerikan, Donald Trump.
Në njoftimin e publikuar në atë kohë, Ambasada theksoi rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve për përballimin e këtyre sfidave dhe për krijimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për të dyja kombet.




