Ribonifikimi i fushës së Maliqit, ndërhyrja pritet të shmangë përmbytjet dhe dëmtimin e prodhimit bujqësor
Fusha e Maliqit, një nga zonat më të rëndësishme bujqësore në juglindje të vendit, përballet me problematikën e përmbytjeve, veçanërisht në zonën torfike, ku niveli i tokës ka pësuar ulje të ndjeshme ndër vite.
Ribonifikimi shihet si një nga zgjidhjet për përmirësimin e sistemit të kullimit dhe parandalimin e përmbytjeve që rrezikojnë prodhimin bujqësor.
Përballë kësaj situate, një investim për ribonifikimin e fushës pritet të ndërhyjë në sistemin e kullimit dhe ujitjes. Drejtori i Bujqësisë në Bashkinë Maliq, Aurel Zenunllari bën të ditur se financimi është siguruar nga Ministria e Bujqësisë.
“Ka një financim nga Ministria e Bujqësisë për ribonifikimin e fushës së Maliqit. Është një lajm shumë i mirë, të cilin e morëm në takimin e fundit të organizuar nga institucioni i prefektit në bashkinë e Maliqit. Që do të thotë se është një investim madhor që do t’i japë zgjidhje përfundimtare parandalimit të përmbytjeve në fushën e Maliqit, gjithashtu edhe sistemit të ujitjes”, tha Zenunllari.
Ndërkohë, eksperti i bujqësisë Ylver Bylykbashi vlerëson se zgjidhja kërkon një ndërhyrje të plotë në sistemin e kullimit, duke përfshirë pastrimin e kanaleve dhe të shtratit të lumit Devoll, si dhe ndërtimin e një hidrovori në zonat ku niveli i tokës ka rënë nën nivelin e lumit.
“Thellimi i lumit të Devollit është një zgjidhje. Ajo mund të eliminojë deri diku edhe nevojën për ndërtimin e hidrovorrit. Por, në rast se nuk ka mundësi për thellimin e shtratit të lumit Devoll, del domosdoshmëri që në atë sipërfaqe toke, e cila është nën nivelin e lumit, të vendoset një hidrovor”, u shpreh Bylykbashi.
Fusha e Maliqit ka një sipërfaqe prej rreth 13 mijë hektarësh, nga të cilat 6 mijë hektarë janë zonë torfike.
Reshjet e shumta të fundit të dhjetorit të vitit të kaluar dhe ditëve të para të janarit të këtij viti, të shoqëruara edhe me çarjen e dy argjinaturave, shkaktuan përmbytjen e më shumë se 600 hektarëve tokë bujqësore.
Rreth 500 hektarë të sipërfaqes së përmbytur ndodheshin në zonën torfike, ku ulja e nivelit të tokës e bën më të vështirë largimin e ujërave. Fusha e Maliqit ka një rëndësi të veçantë për bujqësinë e rajonit, pasi në të kultivohen grure, miser, patate, qepë dhe perime.




