I gjithë trafiku, për shumëkënd që kalon në rrugën nacionale në Vlorë nga qendra e qytetit e deri në skelë e ka një përgjigje: projekti fillestar është ndryshuar, por askush nuk di të thotë arsyen përse. Ky aks ka qenë gjithnjë problematik për banorët e zonës, e sidomos në periudhat e verës ku fluksi i vizitorëve pothuajse trefishohet. Fillimisht qytetarët e Vlorës u gëzuan për këtë projekt, por sot të paktë janë ata që i kanë ndjerë përfitimet. Por cili është rrugëtimi i nisjes së një projekti gjigand dhe mbërritjes deri në këtë pikë ku shumë udhëtarë presin mesatarisht 2 orë në trafik?
Ky ishte një premtim i bere nga kryeministri Rama, si deputet i këtij qyteti. Shpalljen e konkursit ndërkombëtar për projektin e bëri Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Nga 25 oferta u përzgjodh ajo e studios belge XDGA. Në planet e prezantimit të projektit duket qartë ndarja e rrugës në dy akse me nga dy korsi në secila anë, e po ashtu edhe një korsi për biçikletat. Këtë nuk ngurron ta pohoje as Bashkia e Vlorës. Ja se çfarë shkruhet në faqen e saj në datën 19 gusht 2015-të: Kjo, do të plotësohet me hapësirë të konsiderueshme parkimesh, një nga elementet e dukshme të këtij projekti. E shprehur më qartësisht, në pjesën e majtë të shëtitores Skelë-Uji i Ftohtë, do të ndërtohen hapësirat e parkimeve, ndërkohë që në pjesën e djathtë janë parashikuar pedonalja dhe korsia e biçikletave. Projekti parashikon dy korsi automjetesh, me kahje të ndërsjellët, të ndara me një hapësirë të gjelbër, çka është konsideruar e mjaftueshme nga projektuesit për fluksin e lëvizjes me makina. Por sot çdokush mund të bëjë dallimin me sy të lirë. Jo vetëm që gjelbërimi në mes të akseve nuk shihet në asnjë vend, por rruga sa i përket ngarkesës me trafik është më keq se përpara se të bëhej lungomare. Me anë të këtij vendimi, këshilli kombëtar i territorit miratoi projektin dhe zbatimin nga studio fituese. Zbatimin dhe mbikëqyrjen e saj e ka Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka dhënë edhe paratë për ndërtimin e lungomares. Por sot askush nuk di të thotë se cili është përgjegjësi për këtë skandal. Firma që po bën punimet? Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili ka dhënë vetëm për gjelbërimin e saj 1 milion dollarë, autoriteti rrugor si përgjegjës për akset nacionale? Ligjërisht nëse projekti do të ndryshonte rrugës, duhej të merrte më parë miratimin në KKT.
Vlorë, skandal me lungomaren
Subscribe





