Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë në debatin e krijuar mes qeverisë dhe prokurorëve e gjyqtarëve për cështjen e pagave. Në një deklaratë për mediat ajo ka sjellë në vëmendje se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen në cdo rast.
“Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Respektimi dhe zbatimi i tyre përbën një kërkesë të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe është i lidhur ngushtësisht me parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike”, thuhet në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuesja vetë vendosi të mos kërkojë rritje page për muajin gusht dhe kjo u përdor nga ministria e financave për të argumentuar pse strukturat e thesarit bllokuan rrogat për gjyqtarët e prokurorët. Por vetë gjykata kushtetuese deklaroi se kjo zgjedhje e saj nuk është përcaktuese për zbatimin e vendimit që sanksionon se pagat e magjistratëve duhen rritur.
“Gjykata sqaron se mënyra e përllogaritjes dhe e ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij”, thuhet në reagimin e Kushtetueses.
Në 17 shkurt gjykata kushtetuese rrëzoi formulën me të cilën qeveria përllogariste pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; duke theksuar se gjatë viteve të fundit paga e tyre kishte pësuar ulje të fshehtë. Gjyqtarët urdhëruan parlamentin që deri në 31 korrik të miratojë një ligj të ri për pagën e magjistratëve duke garantuar rritjen e saj. Në vendimin e arsyetuar kushtetuesja mori masat edhe për rastet kur parlamenti nuk vepron, duke sanksionuar se llogaritja e pagesave të prapambetura do të bëhet me formulën që i referohet funksionarit të administratës së lartë publike. por vendimi flet vetëm për pagesat e prapambetura e jo për pagqën e muajit gusht e në vijim.
Deri në 31 korrik parlamenti nuk miratoi asnjë ligj të ri për pagën e magjistratëve dhe në këtë situatë; qeveria e gjyqësorit, KLGJ e KLP vendosën të zbatojnë drejtpërdrejt vendimin e kushtetueses dhe miratuan rritjen e pagës së magjistratëve duke pasur si referencë funksionarin e administratës së lartë publike. Por dega e thesarit bllokoi pagat duke këmbëngulur se pa u miratuar ne parlament ligji i ri për pagat e magjistratëve, nuk mund të bëjë asnjë veprim.





