Berisha thirrje demokratëve: Nesër bashkohuni në protestën e studentëve!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve që nesër t’i bashkohen protestës së studentëve, në mbështetje të kauzës së tyre.
Pas protestës kombëtare të PD-së, Berisha paralajmëroi organizimin e protestave të tjera, ndërsa e cilësoi qëndresën e studentëve si një frymëzim për shqiptarët.
Ai u bëri thirrje prindërve, gjyshërve dhe qytetarëve që të ngrihen në mbështetje të të rinjve, duke e cilësuar kauzën e tyre si një betejë atdhetare dhe patriotike.
“I bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe demokrateve që nesër të bashkohen në orën e protestës së studentëve, në mbrojtje të kauzës së tyre dhe në mbështetje të tyre. Kjo e sotmja ishte protestë kombëtare e PD-së, e thirrur në mbështetje të studentëve. PD-ja do të thërrasë të tjera protesta kombëtare, si në mbështetje të studentëve, ashtu edhe për kauza të tjera, që s’mund të jenë ndryshe, për të thënë të drejtën, nga ajo e studentëve.
Është detyrim parimor të mbështetësh ato vajza. Ato kanë fituar një simpati botërore të paparë. Për çdo shqiptar, aktet e qëndresës, guximit dhe trimërisë së studentëve janë një frymëzim. Çdo prind, gjysh e gjyshe, çdo qytetar duhet të ngrihet në këmbë në mbështetje të tyre. Ata po luftojnë që ky vend të banohet nga shqiptarët. Ka luftë, ka betejë më atdhetare, më fisnike, më patriotike”, tha Sali Berisha.
/vizionplus.tv




