Drejtuesi i zyrës për të drejtat e njeriut në OKB, Volker Turk paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund të bëhet aq e fuqishme sa të përbëjë një kërcënim për njerëzimin.
Ai tha se në ditët në vijim do tu bëjë thirrje kompanive të teknologjisë që të marrin masa për të ulur këto rreziqe.
“Ne përballemi me kërcënime të tjera për të drejtat tona që janë të panjohura, madje të paprecedentë. Marrëdhënia midis mjeteve dixhitale si IA dhe natyrës sonë njerëzore do të jetë një përparësi për vitet në vijim. Unë bëj thirrje këtu sot për një përpjekje të përgjithshme për të vendosur masa të forta mbrojtëse për sigurinë e IA-së, përpara se të jetë tepër vonë”, tha Volker Turk, komisioner për të drejtat e njeriut, OKB
Turk tha se zhvillimi i shpejtë i teknologjisë po krijon edhe rreziqe të reja për të drejtat e njeriut dhe për mënyrën se si njerëzit marrin vendime dhe kontrollojnë jetën e tyre.
Deklaratat e komisionionerit të të drejtave të njeriut në OKB janë në të njëjtën linjë me paralajmërimet e mëparshme të disa drejtuesve të industrisë së inteligjencës artificiale për rreziqet që kjo teknologji mund të sjellë për njerëzimin.
Në korrik, OKB-ja zhvilloi edhe takimin e parë global të fokusuar në qeverisjen bazuar në inteligjencën artificiale.





