E shtunë, 24 Tetor 2026 Mes'dritë deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Franca në gatishmëri të lartë, 70 mijë efektivë në terren për protestat, mbyllen muzetë në Paris

Franca është vendosur në gjendje gatishmërie të lartë, ndërsa autoritetet po përgatiten për një valë të re protestash masive këtë të shtunë, më 24 tetor, vetëm një javë pas përplasjeve të dhunshme, plaçkitjeve të dyqaneve dhe sulmeve ndaj ndërtesave publike.

Qeveria franceze ka njoftuar angazhimin e 70 mijë policëve dhe xhandarëve në të gjithë vendin, rreth 10 mijë më shumë se gjatë protestave të 17 tetorit. Plani i sigurisë parashikon gjithashtu përdorimin e automjeteve të blinduara, helikopterëve, topave të ujit dhe njësive speciale, me synimin për të parandaluar përsëritjen e akteve të dhunës.

Reklamë

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, paralajmëroi se autoritetet nuk do të tolerojnë akte të reja dhune dhe shkatërrimi. Ndërkohë, në më shumë se 100 qytete franceze janë vendosur kufizime të ndryshme, përfshirë ndalimin e protestave në zona të caktuara dhe kufizime të lëvizjes gjatë natës.

Situata ka ndikuar edhe në jetën kulturore dhe sportive të vendit. Në Paris, të shtunën do të qëndrojnë të mbyllura disa prej institucioneve më të rëndësishme kulturore, përfshirë Muzeun e Luvrit, Musée d’Orsay dhe Operën e Parisit. Gjithashtu, panairi ndërkombëtar i artit Art Basel Paris ka anuluar programin e fundjavës, ndërsa ndeshja mes Paris Saint-Germain dhe Lyon është shtyrë për të hënën për arsye sigurie.

Reklamë

Paralelisht me masat e sigurisë, presidenti Emmanuel Macron është takuar me përfaqësues të organizatave të nxënësve, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për pakënaqësitë që kanë nxitur protestat. Megjithatë, përfaqësuesit e tyre kanë deklaruar se mobilizimi do të vijojë nëse kërkesat për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitet nuk plotësohen.

Pas protestave që vijojnë prej disa javësh qëndrojnë shqetësime të lidhura me rritjen e kostos së jetesës, presionin mbi të ardhurat dhe problemet në shërbimet publike. Qeveria franceze përballet tashmë me sfidën e parandalimit të përplasjeve të reja, ndërsa përpiqet të menaxhojë pakënaqësinë sociale që ka përfshirë disa kategori të shoqërisë.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.