Sezoni veror është shoqëruar me një fluks të shtuar të personave që i janë drejtuar spitaleve dhe qendrave shëndetësore për të marrë ndihmë mjekësore.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj, në një intervistë për Vizion Plus, bën me dije se traumat kanë qenë ndër problematikat kryesore gjatë tre muajve të verës, duke shënuar numrin më të lartë të rasteve që lidhen me sëmundshmërinë, invaliditetin dhe humbjet e jetës.
“Në qoftë se në 2025 mesatarja ishte 399 vizita për 2026 deri në këto momente janë 469 në 24 orë flasim gjithmonë. Për sa i përket sëmundjeve të ndryshme apo diagnozave, fillojmë që nga traumat. Është një nga shkaktarët kryesor të sëmundshmërisë, humbjeve të jetës, të invaliditetit, makinë me motor, këmbësorë, biçikletë, monopatë edhe mjete të rënda. Jemi rreth 15 mijë e 7 deri në këto moment duke përfshirë të gjitha, nga 14 mijë e 47 që kanë qenë në 2025”, thotë Brataj.
Fluks të lartë kanë pasur edhe qendrat shëndetësore verore.
“Rreth 62830 vizita të kryera deri tani në qendrat shëndetësore me rreth 87% shqiptar dhe 13% të huaj. Për sa i përket virozave, gastroeneteritet, kardiopatitë me problemet respiratore dhe me ato të cilat janë tipike të stinës, pickimet nga insektet dhe alergjitë otite dermatite. Virozat dhe gastroenteritet janë 25.5% e numrit total të tyre, si dhe helmimet ushqimore. Hipertensioni i cili në verë duhet të jetë kryesisht më i ulët me 15.4% për tensionin e lartë. Pickimet dhe alergjitë, rreth 5000 mijë raste të tilla, dermatitet rreth 2000 respirator dhe kardiovaskular”, thotë Brataj.
Gjatë sezonit nuk kanë munguar as turistët e huaj që kanë kërkuar ndihmë. Ndër rastet më të shpeshta kanë qenë aksidentet në terrene malore, të cilat kanë përfunduar me fraktura. Qendrat shëndetësore verore me fluksin më të lartë kanë qenë ato në Velipojë, Shëngjin, Pogradec, plazhin e Durrësit, Orikum, Himarë dhe Ksamil.





