Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiç, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, do të varroset sot në Beograd me nderime të paralajmëruara shtetërore dhe ushtarake.
Arkivoli i Mlladiç, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë gjatë vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm, u vendos në Kishën e Shën Lukës, ku ceremoninë mortore e udhëhoqi kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Gjatë ceremonisë, ku pjesëtarë të gardës së nderit të Ushtrisë së Serbisë qëndronin në rojë, u bënë lutje që “gjeneralit Ratko t’i faleshin mëkatet e bëra me dashje dhe pa dashje”.
Porfirije tha se emri i tij “do të mbetet thellë i ngulitur në kujtesën dhe lutjet e pjesës më të madhe të popullit serb dhe ortodoks”.
Ai, gjithashtu, tha se populli serb “ushqen mirënjohje të thellë” ndaj Mlladiç, pasi e sheh atë si “ushtar dhe komandant që, në një kohë të vështirë, qëndroi në krye të ushtrisë së popullit të tij”.
Mlladiç i bënë homazhe zyrtarë të shumtë nga Serbia, Republika Sërpska dhe Mali i Zi.
Në të njëjtën kohë, mijëra njerëz pritën në radhë para kishës, për ta nderuar.
Disa prej tyre mbanin bluza me portretin e kriminelit të dënuar të luftës dhe simbole të formacioneve ushtarake të kohës së luftës.
Qindra njerëz tashmë janë mbledhur në varrezat e Topçiderit në Beograd, ku Mlladiçdo të varroset.
Në varreza janë rreshtuar pjesëtarë të ushtrisë dhe është e pranishme edhe orkestra ushtarake, ndërsa shumë nga të pranishmit mbajnë bluza dhe simbole që madhërojnë Mlladiç.
Paralajmërime nga SHBA-ja dhe BE-ja
Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self u kanë bërë thirrje autoriteteve në Republikën Sërpska – entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës – dhe në Serbi që të distancohen nga varrimi i Mlladiç.
Në një deklaratë të përbashkët, senatorët rikujtuan përgjegjësinë e tij për gjenocidin dhe krimet e tjera në Bosnje dhe Hercegovinë, duke theksuar se ato përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Ratko Mlladiç ishte kriminel lufte dhe arkitekt i gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Forcat e tij ishin përgjegjëse edhe për rrethimin gati katërvjeçar të Sarajevës – një prej rrethimeve më të gjata në historinë moderne. Veprat e tij, të marra së bashku, përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Në të shtohet se është “thellësisht shqetësuese që Serbia ka paralajmëruar se Mlladiç do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake”, si dhe që ish-lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, e ka quajtur atë “luftëtar për lirinë serbe”.
“Është përdhosje e kujtimit të viktimave të tij dhe e rajonit që ende jeton me pasojat e fushatës së tij të spastrimit etnik, nëse një qeveri shënon ose madhëron vdekjen e tij. Ditët e ardhshme do të jenë një test nëse Serbia dhe Republika Sërpska janë të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimeve euroatlantike, apo do të lejojnë që ajo e kaluar të bëhet sërish pengesë për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të tyre”, thuhet në deklaratë.
Senatorët amerikanë i bënë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës Sërpska që të përmbahen nga çfarëdo pjesëmarrjeje apo lidhjeje me ceremonitë e planifikuara dhe të sigurojnë që “asnjë deklaratë publike apo veprim zyrtar të mos e paraqesë Mlladiç si diçka tjetër përveç asaj që ishte: arkitekt i dënuar i gjenocidit”.
Dy kongresistë amerikanë, Greg Murphy dhe Marc Veasey, vizituan Potoçarin të hënën, për t’u bërë homazhe viktimave të gjenocidit të vitit 1995 dhe për të riafirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ruajtjen e së vërtetës dhe promovimin e përgjegjësisë.
“U bëjmë homazhe atyre që nuk janë më dhe shprehim solidaritetin tonë me të mbijetuarit”, thuhet në një postim të Ambasadës amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë në platformën X.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi ndërkohë vizitën e planifikuar në Serbi, duke thënë se madhërimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë, është “i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.
Në mesin e zyrtarëve që i bënë homazhe Mlladiç në kishën në Beograd, ishin edhe ministri i Punës dhe Mbrojtjes së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës i Republikës Sërpska, Radan Ostojiq, dhe anëtari i Senatit të Republikës Sërpska, Aleksandar Vulin, i sanksionuar nga Uashingtoni për lidhjet e tij me Rusinë.
Në varrim nuk pritet të marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë më herët se nuk mund të jetë i pranishëm, pasi presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, po qëndron për vizitë në Beograd.
Vuçiq ka thënë, gjithashtu, se ka “bërë gjithçka” që varrimi të zhvillohet në “mënyrë dinjitoze”, ndërsa ka hedhur poshtë kritikat e Bashkimit Evropian për organizimin e varrimit të Mlladiç me nderime shtetërore./rel





