Tiranë/ 9 të arrestuar pas protestës së djeshme, policia: Dhunuan efektivët dhe dëmtuan institucionet

Policia e Tiranës ka arrestuar 9 persona, ka proceduar penalisht 2 të tjerë dhe ka shpallur në kërkim 20 shtetas, pas incidenteve të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Sipas policisë, protestuesit kundërshtuan dhe goditën punonjësit e uniformave blu me sende të forta dhe lëndë piroteknike, si dhe dëmtuan godina të institucioneve shtetërore.
Mes të arrestuarve është edhe një shtetas gjerman.
Në kuadër të të njëjtit hetim, policia ka arrestuar edhe një 20-vjeçar, i cili dyshohet se kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale të vjedhjes. Sipas policisë, ai dyshohet gjithashtu se është përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të 24 tetorit 2026.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të arrestuarve, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të incidenteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.




