Transportonte 11 emigrantë nga Irani dhe Iraku drejt Italisë, arrestohet 30-vjeçari në Sarandë

Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare e Sarandës, pasi u kap në flagrancë duke transportuar me furgon 11 emigrantë nga Irani dhe Iraku, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht drejt Italisë. Operacioni i koduar “Tranzit” u finalizua në kuadër të kontrolleve për parandalimin e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në pranga ra shtetasi V. D., banues në Lushnjë, i cili u ndalua në afërsi të Konispolit. Sipas Policisë, ai transportonte emigrantët kundrejt pagesës prej 2 500 eurosh për person. Të 11 shtetasit dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar nga Greqia dhe synonin të vijonin rrugëtimin drejt Italisë.
Në kuadër të veprimeve procedurale, emigrantët u proceduan penalisht për veprën “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, ndërsa furgoni i përdorur për transportimin e tyre u sekuestrua si provë materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.




