Theu “arrestin shtëpiak” dhe goditi një 19-vjeçar me thikë, arrestohet pas disa orësh autori në Korçë

Një 23-vjeçar është arrestuar në Korçë, pasi dyshohet se plagosi me thikë një 19-vjeçar gjatë një konflikti në lagjen nr. 4 të qytetit. I riu rezulton se ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për vepra penale që lidhen me plagosjen e rëndë me dashje dhe narkotikët.
Sipas Policisë, i plagosuri, shtetasi M. A., 19 vjeç, ka marrë dëmtime në këmbë dhe po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Pas disa orësh ndjekjeje dhe hetimesh, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit R. I., 23 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi thikën që dyshohet se u përdor në konflikt, një sasi lënde narkotike të dyshuar kanabis, si dhe një objekt në formë pistolete, me ngjyrë të zezë, që përdorej me sfera.
Ndaj 23-vjeçarit rëndojnë veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.




