Protesta e së shtunës/ Gjykata lë me detyrim paraqitjeje dy protestues, urdhërohet lirimi për një tjetër

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për dy protestuesit e arrestuar, Rezart Vozga dhe Jurgen Rizai, pas protestës së të shtunës. Gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e tyre në flagrancë, ndërsa ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, të shpallur më 26 tetor 2026, të dy personat duhet të paraqiten pranë oficerit të policisë gjyqësore dy herë në muaj. Rezart Vozga duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 14:00, ndërsa Jurgen Rizai të martën e parë dhe të tretë, po në orën 14:00.
Dy protestuesit dyshohen për disa vepra penale, mes tyre shkatërrim prone, pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, goditje për shkak të detyrës, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe prishje të qetësisë publike. Për njërin prej tyre, akuza përfshin edhe shkeljen e rregullave mbi lëndët plasëse, ndërsa për tjetrin mosbindjen ndaj urdhrit të punonjësit të policisë.
Ndërkohë, për një tjetër protestues të arrestuar, gjykata ka vlerësuar se arrestimi ishte i paligjshëm dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. Vendimi për dy protestuesit e tjerë mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditëve nga dita pas njoftimit të vendimit.
/vizionplus.tv




