Vuçiç humbi zgjedhjet, Veliaj reagon nga qelia: Urime studentëve për rrëzimin e populistit të Beogradit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar nga qelia studentët serbë për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, si dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!
Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate.
Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!”, shkroi Veliaj në rrjetet sociale.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, Koalicioni Shqiptar, i përbërë nga tetë parti politike nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, ka siguruar 27.230 vota dhe dy mandate, ndërsa mbetet në garë për një mandat të tretë.
Ndërkohë, lëvizja studentore, e cila u fuqizua pas protestave kundër korrupsionit dhe qeverisjes së presidentit Aleksandar Vuçiç, ka arritur një rezultat të rëndësishëm në zgjedhje, duke sfiduar kampin politik në pushtet.




