“Vuçiç kukull e Putinit, duhej të ishte në burgun e Hagës”, Berisha për zgjedhjet në Serbi: Rama të mësojë nga “padroni” i tij

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas zhvillimeve politike në Serbi, duke akuzuar presidentin Aleksandër Vuçiç për lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin dhe për përpjekje për ndarjen e Kosovës.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi Vuçiçin si një nga figurat më të errëta të politikës në Ballkan, ndërsa përshëndeti lëvizjen studentore dhe qytetarët serbë për rezultatin e zgjedhjeve.
Sipas Berishës, Vuçiç ishte një aleat i Kremlinit në rajon dhe, pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, e ktheu Serbinë në një mbështetje të rëndësishme të Rusisë në Ballkan.
“Dje, populli serb, me votën e tij nxori nga pushteti njërin nga figurat më të zeza të politikës në Ballkan pas Sllobodan Millosheviçit, njeriun që prej vitesh duhej të ishte në burgun ndërkombëtar të Hagës, Aleksandër Vuçiç, ish-badigardin e Sheshelit, birin e tij shpirtëror, pasardhësin e tij. Pjesëmarrës aktiv në gjenocidin serb në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci. Një nga organizatorët e safarit vrasës të myslimanëve në Sarajevë. Aleksandër Vuçiç ishte një kukull e Vladimir Putinit në Ballkan, i cili pas agresionit rus ndaj Ukrainës, e shndërroi Serbinë në prapavijë të fuqishme të Rusisë në rajon”, tha Berisha.
Kreu i PD-së përshëndeti studentët dhe qytetarët serbë, duke e cilësuar rezultatin zgjedhor si një goditje për partinë e Vuçiçit.
“Studentët, kauza e tyre fitoi”, u shpreh Berisha.
Në vijim, ai e lidhi rezultatin në Serbi me zhvillimet politike në Shqipëri.
Berisha përdori gjuhë të ashpër ndaj kreut të qeverisë shqiptare, duke e akuzuar për lidhje me krimin dhe kartelet e drogës, si dhe për shtypje të protestave.
“Rrëzimi i autokratit të Beogradit nga pushteti prej qytetarëve të Serbisë është një goditje e rëndë në brez për argatin e tij në Tiranë, narkodiktatorin Edi Rama, Padrinon e Shqipërisë që qeveris i bazuar në lidhjet e krimit, kartelet e drogës dhe vjedhjen e shqiptarëve si dhe duke shtypur me metoda policore terroriste studentët dhe qytetarët shqiptarë. Uroj që Edi Rama të mësojë nga padroni i tij dhe të zgjedhë sa më shpejt midis fatit të padronit të tij në Beograd dhe Çaushit të Beogradit”, tha Berisha.




