E hënë, 26 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Vrasja e Arlinda Zekajt, reagon Prokuroria: E udhëzuam të shkonte në shtëpinë e vëllezërve

Tri ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi i saj në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin mund të rrezikonte jetën dhe sigurinë e saj. Prokuroria Themelore në Pejë bëri të ditur më 26 tetor se, në bashkëpunim me hetuesit, ishte planifikuar që një patrullë policore të qëndronte pranë banesës gjatë kthimit të saj.

Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, dyshohet nga kunati i saj, i cili ende ndodhet në arrati. Ajo u gjet pa shenja jete pas kthimit në shtëpi, ku kishte shkuar e shoqëruar nga policia, pas raportimit të një rasti të dhunës në familje.

Reklamë

Më herët atë mbrëmje, ish-bashkëshorti i saj ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij ishte iniciuar procedurë për mospërfillje të vendimit të gjykatës.

Më 22 tetor, vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj i ishte drejtuar me ankesë kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke ngritur pretendime për dështime institucionale në trajtimin e rasteve të saj. Ajo kishte kërkuar edhe zbatimin e një vendimi gjyqësor që i garantonte të drejtën për t’u kthyer dhe për të shfrytëzuar shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin.

Reklamë

Sipas Prokurorisë, më 16 tetor gjykata kishte urdhëruar që ish-bashkëshorti ta lejonte Zekajn të kthehej në banesë. Po ashtu, ishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje me kohëzgjatje gjashtëmujore, i cili kishte hyrë menjëherë në fuqi. Zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i gjykatës për pengesat e mundshme ishin përgjegjësi e Policisë.

Kur Zekaj kishte kërkuar të kthehej në shtëpi, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kjo mund të përbënte rrezik për jetën dhe sigurinë e saj. Për këtë arsye, ai kishte kontaktuar vëllezërit e viktimës dhe e kishte udhëzuar të qëndronte te familjarët.

Pas bisedimeve, ajo kishte pranuar të shkonte te familja, por kishte kërkuar që të nesërmen një patrullë policore ta shoqëronte për t’u kthyer në shtëpi. Prokurori dhe hetuesit kishin planifikuar që një patrullë të qëndronte pranë banesës gjatë kthimit të saj. Sipas Prokurorisë, këto veprime ishin dokumentuar në një procesverbal të 22 tetorit.

Megjithatë, njoftimi i Prokurorisë nuk sqaron nëse patrulla policore kishte qëndruar pranë shtëpisë pas kthimit të Zekajt më 25 tetor.

Një ditë pas ankesës së saj, më 23 tetor, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit për kanosje në kuadër të marrëdhënies familjare.

Pas vrasjes, kryeprokurorja e Pejës kishte iniciuar një rast për të hetuar nëse veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve përmbanin elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Kërkesa e Zekajt ishte përcjellë për trajtim urgjent edhe te Policia, Gjykata Themelore në Pejë, institucionet e mirëqenies sociale dhe Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.

Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar një analizë të plotë të rastit, për të përcaktuar nëse ka pasur lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale. Koordinatorit nacional për rastet e dhunës në familje i është kërkuar të shqyrtojë të gjitha veprimet e ndërmarra, ndërsa nga kryeprokurorja e Pejës është kërkuar raport i detajuar për kronologjinë e ngjarjeve, vendimet dhe trajtimin e ankesës së 22 tetorit.

Edhe Inspektorati Policor i Kosovës është ngarkuar të hetojë mënyrën se si policia i kishte trajtuar raportimet e viktimës.

Për vrasjen ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, e cila ka kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm, duke theksuar nevojën për të sqaruar nëse ishin ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e Zekajt.

Ndërkohë, me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, është paralajmëruar mbajtja e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar rastin.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.