Nufi uron 250 kandidatët që nisin stërvitjen ushtarake: Krenaria për t’i shërbyer Atdheut do t’ju shoqërojë gjithë jetën

250 vajza dhe djem, kandidatë për ushtarë dhe detarë aktivë, kanë nisur sot stërvitjen individuale bazë tre mujore në qendrat stërvitore të Poshnjes, Vaut të Dejës dhe Zall Herrit. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili u ka uruar suksese të gjithë kandidatëve që kanë zgjedhur t’i bashkohen Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Përmes një postimi, ministri Nufi theksoi se vendimi për t’i shërbyer vendit nuk është i lehtë, por përfaqëson një zgjedhje që sjell krenari dhe kënaqësi si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal.
“Vendimmarrja e secilit prej tyre për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura të Shqipërisë nuk është e lehtë, por krenaria, gëzimi, si dhe kënaqësia profesionale dhe individuale që do të kenë për t’i shërbyer Atdheut, është gjëja që do t’i shoqërojë gjithë jetën”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.
Stërvitja tre mujore do të zhvillohet në tri qendra stërvitore në vend dhe synon përgatitjen bazë të kandidatëve përpara se të bëhen pjesë aktive e Forcave të Armatosura.




