Plagosja e Erjon Vishkullit në sy gjatë protestës, Prokuroria e Tiranës nis hetimet

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për plagosjen e Erjon Vishkullit gjatë protestës së 24 tetorit në kryeqytet. Në të njëjtin procedim penal po hetohen edhe raste të tjera të dëmtimit të qytetarëve, pas dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas ngjarjes së regjistruar më 24 tetor, organi i akuzës ka kryer një sërë veprimesh hetimore për të sqaruar rrethanat e plagosjes.
Në kuadër të hetimeve janë administruar pamjet filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, si dhe kartela mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës. Gjithashtu, janë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Prokuroria bën me dije se po punohet edhe për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie pranë tyre.
Në të njëjtin procedim penal, Prokuroria e Tiranës po heton edhe dëmtimin e disa qytetarëve të tjerë, pas dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës nga disa punonjës të Policisë së Shtetit gjatë protestave.
Deri në këtë fazë, janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar, ndërsa verifikimet për këto raste po kryhen në bashkëpunim me AMP-në.
Prokuroria thekson se hetimet vijojnë me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjeve dhe dokumentimin e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi.




