“Mësojmë nga e kaluara 44–91”, Autoriteti i Dosjeve tregon të vërtetën e fshehur në komunizëm për Kënetën e Maliqit

Për dekada me radhë, kinematografia shqiptare e periudhës komuniste e paraqiti tharjen e Kënetës së Maliqit si një triumf të pushtetit dhe të njeriut të ri socialist. Por pas ekranit, historia e vërtetë ishte krejt ndryshe. Inxhinierë të dënuar për sabotim, profesionistë të pushkatuar dhe të burgosur politikë që punuan në kushte të rënda, u lanë jashtë të vërtetës që iu servir publikut.
Pikërisht këtë përballje mes filmit dhe dokumenteve historike solli aktiviteti i organizuar në Pallatin e Kulturës “Dhimitër Orgocka” në Maliq, në kuadër të platformës “Mësojmë nga e Kaluara – 44–91”, një nismë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit
“Çdo film i realizmit socialist, duhet bërë përmbajtje, kanë këtë skenar që nuk është në përputhje me dokumentet autentike. Në rastin konkret në Maliq, kemi shfaqur filmin ‘Vitet e Jetës’, 2500 të burgosur, inxhinierë të pushkatuar. Regjimi i sakatoi njerëzit profesionistë, një pjesë tjetër i vari. Ajo ishte propagandë mbi skenarët e realizmit socialist. Aty ndikonte në masë. Nuk janë të vërteta. Ishin inxhinierët më të mirë të Shqipërisë. Dokumentet thonë të kundërtën në skenarin e filmit”, thotë Skënder Vrioni, anëtar i AIDSSH.
Sipas studiuesve, propaganda nuk u mjaftua me dënimin fizik të njerëzve, por përmes artit dhe letërsisë i portretizoi ata si armiq e sabotatorë, duke dëmtuar edhe kujtesën e familjeve të tyre.
“Filmi ‘Vitet e para’ flet për kënetën e Maliqit, ngjarjen tragjike. Ne sjellim komente nga ky film, si është shtrembëruar e vërteta duke e përballuar me dosje nëpërmjet historianëve, studiuesve të artit dhe studiuesve të tjerë. Nuk është thënë e vërteta. Ajo që thuhet në art dhe e vërteta në dosje. Përballje mes të dyjave. U kanë munguar faktet që nuk janë dhënë të plota, ajo, një histori e vërtetë, shtrembërohet”, thotë Rovena Rozhani, autore.
Për Autoritetin e Dosjeve, ky aktivitet nuk synon të fshijë apo të censurojë filmat e realizmit socialist, por t’i vendosë ata përballë dokumenteve arkivore dhe dëshmive të njerëzve që e përjetuan atë periudhë. Një tjetër qëllim është edhe rikthimi i zërit të familjeve të të dënuarve, të cilat për dekada nuk patën mundësi ta tregonin publikisht historinë e tyre.
“Është ndjesë, sepse Autoriteti i Dosjeve merr familjarët e atyre që u burgosën. Është ndjesa jonë për të afërmit e tyre, i ftojmë në takime e marrim dëshmitë përkatëse”, thotë Vrioni.
Tharja e Kënetës së Maliqit ishte një ndër veprat e mëdha të transformimit të kësaj zone. Pas filmave që për dekada formësuan kujtesën e publikut, dokumentet po sjellin në dritë fatin e inxhinierëve dhe të burgosurve që u dënuan nga regjimi komunist. Mbetet tashmë një pyetje, a do të vijë një ditë edhe filmi që do të tregojë historinë e tyre të vërtetë?




