Debat në komisione për protestën, Kaso: Policia, kërbaç të rinjve. Xhafaj: Shumica po reflekton
Komisionet parlamentare filluan punë këtë të hënë për herë të parë prej nisjes së protestës së studentëve më 13 tetor. Në shenjë mbështetjeje ndaj revoltës së të rinjve, opozita vendosi që vetëm një përfaqësues i saj të shkonte në mbledhjet e komisioneve vetëm për t’u dhënë zë kërkesave të studentëve dhe më pas të largohej.
“Sot jemi në ditën e 14 të protestës studentore, një protestë që nuk është vetëm kundër një modeli qeverisjeje, por është protesta e një brezi të tërë që e sheh veten pa të ardhme në këtë vend. Dhe, për fat të keq, përgjigjja ndaj këtyre kërkesave legjitime ka qenë vetëm druri e kërbaçi”, Ivi Kaso, nënkryetar i Komisionit për Nismat Qytetare.
“Ne bashkohemi fort dhe qëndrojmë fort për të drejtën legjitime të protestës, qofshin studentë apo qytetarë. Por ne ndahemi shumë fort tek përdorimi i dhunës, ndahemi tek njerëzit që e inspirojnë atë, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me frymën paqësore të protestave. Unë nuk prisja që ju të distancoheni nga ky komponent i dytë, sepse, mesa shoh, grupi juaj politik është pjesë e këtij procesi dhune që inspirohet, në vlerësimin tim, që nga dhuna verbale e fizike në seancë plenare dhe më pas, siç treguan demonstrimet e ditëve të fundit, edhe në rrugë, duke i rënduar protestës së ligjshme dhe paqësore të qytetarëve.”, tha Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit për Nismat Qytetare.
Por Partia Demokratike hodhi poshtë akuzat për dhunë, duke këmbëngulur që situata kërkon zgjidhje politike.
“Është kërkesa e një shoqërie të tërë që ai të marrë përgjegjësitë e veta e të largohet. Pastaj përrallat me opozitën si furnizuese e mjeteve të dhunës, përrallat me reaksionin e brendshëm e të jashtëm që bashkohen, janë për të ardhur keq.”, Ivi Kaso.
Ndërkaq, socialisti Fatmir Xhafaj pranoi se PS-ja duhet të kishte reflektuar kohë më parë për kërkesat e të rinjve e qytetarëve që janë në protestë.
“Unë besoj dhe jam i bindur, ne si mazhorancë kemi përgjegjësinë tonë për të reflektuar. Personalisht, besoj që ne duhet të kishim reflektuar më shpejt dhe më mirë, por gjithsesi përgjegjësia jonë është për të reflektuar dhe ne jemi duke e bërë këtë proces. Shpresoj që ky të jetë një proces i thellë dhe i pajtueshëm me interesat e qytetarëve që protestojnë paqësisht”, Fatmir Xhafaj.
Sipas opozitës, vendi është në krizë dhe kjo krizë kërkon zgjidhje politike, që nis me largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.




