E hënë, 26 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Vrasja e 49-vjeçares në Pejë, tre ditë më parë kërkoi urgjentisht ndihmën e Prokurorisë: Rreziku për jetën time vazhdon

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën, ku 49-vjeçarja Arlinda Sylaj Zekaj është vrarë me sëpatë në Vitomiricë të Pejës. Autor i dyshuar i vrasjes është kunati i saj, Albert Sylaj, ndërsa bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, është ndaluar për 48 orë pas marrjes në pyetje.

Pas kësaj ngjarjeje qëndron një histori e rëndë, e shoqëruar me pretendime për dhunë në familje dhe një betejë të gjatë të 49-vjeçares për t’u bashkuar me djalin e saj.

Reklamë

Arlinda dhe bashkëshorti i saj kishin jetuar për rreth dhjetë vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja, me prejardhje nga Deçani, më vonë ishte vendosur në Vitomiricë të Pejës, ku marrëdhëniet familjare dyshohet se ishin përkeqësuar ndjeshëm pas kthimit në Kosovë.

Sipas pretendimeve të bëra publike, Arlinda ishte përballur me dhunë të vazhdueshme, ndërsa bashkëshorti dyshohet se e kishte dëbuar nga shtëpia, ia kishte djegur rrobat dhe ishte ndarë prej saj.

Reklamë

Pas ndarjes, ajo ishte përballur edhe me vështirësi për të marrë pranë vetes djalin e saj. Në një periudhë kur bashkëshorti kishte udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara, fëmija kishte mbetur nën përkujdesjen e një personi të tretë. Për këtë çështje, Arlinda kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.

Po ashtu, janë ngritur pretendime për vonesa në trajtimin e kërkesave të saj nga institucionet. Sipas raportimeve në mediat vendase, për një urdhër ishte pritur rreth 24 ditë, ndërsa një kërkesë tjetër pretendohet se ishte refuzuar. Deri më tani, nuk janë bërë të qarta të gjitha rrethanat e këtyre vendimeve, institucioni që i kishte trajtuar dhe arsyetimi mbi të cilin ishin marrë.

Vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar ndërhyrjen urgjente të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Në një letër të pranuar më 22 tetor 2026 dhe të drejtuar kryeprokurores, ajo kishte kërkuar masa ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat e tyre, si dhe zbatimin e menjëhershëm të një urdhri gjyqësor.

Në dokument, 49-vjeçarja kishte shprehur shqetësimin se rreziku për jetën e saj vazhdonte. Ajo kishte kërkuar gjithashtu hetimin e veprimeve të zyrtarëve të përfshirë në trajtimin e rastit, duke përmendur edhe Qendrën për Punë Sociale.

Në të njëjtën letër, Arlinda kishte paralajmëruar se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi asaj t’i merrej jeta. Në fund të dokumentit, ajo kishte shkruar: “Kjo është shtesa ime e fundit”.

Tre ditë pas letrës, fatkeqësisht ajo  humbi jetën tragjikisht.

Mbrëmjen e 25 tetorit, Arlinda ishte marrë në pyetje nga policia në Pejë lidhur me një rast të dhunës në familje. Rreth orës 20:58, ajo ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga patrulla policore.

Sipas të dhënave të bëra publike, rreth dhjetë minuta pas largimit të zyrtarëve policorë, 49-vjeçarja u gjet pa shenja jete në dhomën e gjumit.

Rrethanat e plota të vrasjes, si dhe mënyra se si janë trajtuar më herët kërkesat e saj për mbrojtje, mbeten çështje që kërkojnë sqarim nga organet kompetente.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.