Tronditëse! Publikohet letra alarmuese e Arlinda Zekajt për Prokurorinë 3 ditë para vrasjes: Uroj të mos jepni llogari pasi të më jetë marrë jeta

Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej, vetëm tri ditë para se të gjendej e vrarë në banesën e saj në Vitomiricë të Pejës. Në një letër drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, të pranuar dhe vulosur më 22 tetor 2026, ajo kërkonte ndërhyrje urgjente, zbatimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrimet e tyre.
“Uroj që ju dhe institucionet përgjegjëse të mos detyroheni të përgjigjeni vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, shkruante 49-vjeçarja në dokumentin e siguruar nga media. Letra ishte shënuar si urgjente, ndërsa në përmbajtjen e saj Arlinda shprehte frikën për jetën dhe shqetësimin se institucionet përgjegjëse po ia kalonin përgjegjësinë njëra-tjetrës, pa marrë masa konkrete për sigurinë e saj.

Në dokument, ajo kërkonte zbatimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe nisjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë në rast, duke përmendur edhe Qendrën për Punë Sociale. “Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo, ndërsa në fund të letrës kishte lënë edhe një mesazh tronditës: “Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”
Vetëm tri ditë pas dorëzimit të letrës, më 25 tetor, Arlinda Sylaj Zekaj u gjet e vrarë në dhomën e gjumit të banesës së saj, në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomiricë. Për vrasjen dyshohet kunati i saj. Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi reagimin e institucioneve ndaj paralajmërimeve të viktimës dhe kërkesave të saj për mbrojtje.
/vizionplus.tv




